Kosovë – Rasmusen, reduktimi i trupave tregon stabilitet të vendit

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha në Kosovë se e vlerëson lart angazhimin e lidershipit kosovar në përmbushjen e kërkesave ndërkombëtare dhe se është i impresionuar me përparimin që është bërë gjatë viteve të fundit. Rasmusen, pas takimit që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministrin Hashim Thaçi, përmendi çështjen e pranisë së forcave paqeruajtëse në Kosovë. “Siç e dini, kemi vendosur të reduktojmë numrin e trupave gjatë viteve të ardhshme, por do të theksoja se ky vendim vetëm reflekton zhvillimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Dua të them se ky vendim është i kushtëzuar, që do të thotë se reduktimi do të ndodhë në pajtueshmëri me përmirësimin e vazhdueshëm në aspektin e sigurisë”. “Ne nuk do të marrim vendime që do të kishin ndikim negativ në sigurinë në Kosovë. Ne do të sigurojmë se çdo vendim do të jetë i bazuar në këshillat ushtarake dhe në vlerësimet politike të situatës”. “Ne do të mbesim të përkushtuar të garantojmë sigurinë në Kosovë dhe paralelisht me këtë mund të konfirmoj se do të vazhdojmë t’i asistojmë autoritetet kosovare në zhvillimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha Rasmusen. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, i cili po qëndron në Kosovë, ka siguruar krerët më të lartë të vendit se Kosova, gjatë mandatit të tij, do të jetë prioritet. “Fakti se kam vendosur të vij në Kosovë vetëm disa ditë pas marrjes së postit, nënkupton se Kosovës do t’i jap përparësi të madhe në punën time si sekretar i përgjithshëm i NATO-s”. “Kam pasur një takim të frytshëm me presidentin dhe kryeministrin. Bisedova në lidhje me zbatimin e propozimit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, të prezantuar nga Ahtisari. E vlerësoj lart angazhimin e lidershipit kosovar në përmbushjen e kërkesave ndërkombëtare dhe jam i impresionuar me progresin që është bërë në Kosovë gjatë viteve të fundit”, tha Rasmusen. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka thënë gjithashtu se vizioni i tij i qartë është që të sigurojë një perspektivë euroatlantike për të gjitha shtetet në Ballkan. “Vizioni im i qartë është që të sigurohet një perspektivë euroatlantike për të gjitha shtetet në Ballkan, sikurse për Kosovën, ashtu dhe për Serbinë. Mendoj se do të lehtësojë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në këtë pjesë të Evropës, nëse sigurojmë një të ardhme euroatlantike për të gjitha shtetet këtu. Natyrisht, se kjo është e kushtëzuar”, ka thënë ai. Sipas Rasmusenit, vendet aplikuese për BE dhe NATO duhet t’i përmbushin kriteret e nevojshme, përfshirë zgjidhjen e kontesteve kufitare dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve. “Po qe se shtetet aplikuese i përmbushin kriteret, mendoj se rruga e duhur përpara do të ishte perspektiva euroatlantike. Kjo do të siguronte reformat e nevojshme dhe do t’u siguronte njerëzve në këtë pjesë të Evropës mundësi më të mira për jetë”, u shpreh Rasmusen. Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë falenderuar sekretarin e përgjithshëm, Rasmusen, për përkrahjen e tij dhe rolin e NATO-s në Kosovë. “Kemi parasysh qëndrimin e veçantë të prezencës së NATO-s në Kosovë, për ndërtimin edhe të kapaciteteve të FSK-së. Kemi parasysh politikat e përbashkëta në një orientim normal, që lidhet po ashtu me vlerësimet pozitive të ecjes së stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë se Kosovës, si vend i gjithë qytetarëve, si vend sovran ,dhe kemi parasysh, në mbështetje të vizionit tonë, për të pasur Kosovën nesër të anëtarësuar në NATO”. “Duke pasur parasysh edhe një lëvizje të rëndësishme pozitive në përmbushje të kritereve edhe të vendeve të tjera të rajonit për të qenë anëtarë të NATO-s”, tha Sejdiu. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka takuar dhe komandantin e KFOR-it, gjeneral-lejtnant Giusepe Emilio Gaj. Ai po ashtu pritet të vizitojë trupat e KFOR-it dhe ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujotën. Në fund, Rasmusen do të takohet edhe me përfaqësuesit kyç të komunitetit ndërkombëtar dhe me udhëheqësit lokalë politikë, si dhe do të mbajë një konferencë për shtyp.

Advertisement