Policia e Shtetit ka bërë të ditur se do të shtohen masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në të gjitha sheshet dhe akset rrugore.
4500 efektivë policie do të angazhohen nga sonte deri në datën 4 janar për të ruajtur sigurinë e vendit.
Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe është stacionuar nga një grup i FNSH –së, që do të patrullojnë edhe akset kryesore, për të shmangur aksidentet rrugore. Ndërsa në pikat e kalimit kufitar janë shtuar sportelet për të kryer sa më shpejt procedurat për qytetarët që hyjnë apo largohen nga Shqipëria.
Jashtë vëmendjes nuk është lënë edhe kufiri i gjelbër. Për monitorimin e situatës në gatishmëri janë edhe efektivët e Drejtorisë së Antiterrorit si dhe Njësia Operacionale Antiterrorizëm.
Policia e Shtetit porosit edhe njëherë të gjithë prindërit që të mos lejojnë fëmijët të përdorin fishekzjarrët pa praninë e tyre. Ndërsa gjithë drejtuesit e automjeteve të mos përdorin alkool në rast se do të qarkullojnë me automjetet e tyre, në të kundërt të përdorin automjetet e transportit publik.