Ambasadori grek në Brazil u vra pasi gjeti gruan në shtrat me një tjetër

Trupi i ambasadorit grek në Brazil u gjet 2 ditë më parë brenda një makine të djegur në një lagje të Rio De Janeiros dhe si fajtore për vrasjen e tij është cilësuar vetë bashkëshortja, që është arrestuar tashmë.

Gazeta britanike “The Mirror”, referuar mediave braziliane, shkruan se ai është vrarë pasi gjeti në shtrat gruan e tij me një burrë tjetër. Kyriakos Amiridis, 59 vjeç, u gjet i vdekur të mërkurën poshtë një mbikalimi brenda makinës diplomatike që kishte marrë me qira.

Advertisement

Amiridis kishte shkuar në këtë qytet për të kaluar pushimet me gruan dhe të afërmit e saj.

Sipas autoriteteve vendase, vrasja e ambasadorit cilësohet si një krim pasioni. Pista kryesore mbi të cilën po hetohet është lidhja e një oficeri të policisë braziliane me bashkëshorten e ambasadorit.

Polici i dyshuar për ngjarjen është arrestuar dhe ka treguar se vrasja ishte porositur nga vetë bashkëshortja e Amiridis. Në vijim hetuesit kanë gjetur edhe njolla gjaku në banesën e çiftit, detaj që përlyen bashkëshorten e tij me ngjarjen, duke shtuar këtu edhe dëshminë e policit të arrestuar.

Pas këtyre detajeve, autoritetet braziliane e kanë arrestuar bashkëshorten e ambasadorit.

Gruaja e ambasadorit është braziliane dhe ambasadori Amiridis është njohur me të që në vitet 2000 kur ai shërbente si konsull i Greqisë në këtë vend.