Mbrëmjen e djeshme është zhvilluar nata finale e edicionit të 18-të të festivalit “Kënga Magjike”, ku fituese, bazuar në votat e kolegëve, është shpallur Rozana Radi me këngën “Ma thuaj ti”, shumë e pëlqyer edhe nga publiku.

Ama, ashtu si çdo vit jo të gjithë dalin të kënaqur nga një festival i përmasave të tilla.

Advertisement

Një tjetër këngëtar që shpreh hapur zhgënjimin e tij është edhe Devis Xherahu, i cili, nëpërmjet një shkrimi të gjatë në profilin e tij në Facebook, i drejtohet produksionit të festivalit, konkretisht Ardit Gjebreas.

Devisi i kushton rëndësi mënyrës së votimit, që sipas tij është “kanceri” i një kompeticioni të përmasave të tilla, të cilin e quan “Sanremo shqiptar”.

Sipas tij, këngëtarët nuk mund të jenë edhe konkurrues, edhe votues.

“Në këtë festival marrin pjesë nivele të ndryshme artistësh, si ata të nivelit të fillores, të 8-vjeçares, të së mesmes dhe pak nga ata të doktoraturës. Nuk mund të gjykojë një artist i fillores ose i 8-vjeçares një të doktoraturës apo të universitetit, sepse ai akoma nuk di si përdoret mikrofoni, si këndohet me të dhe jo më të gjykojë një këngë, një artist profesionist”, – shprehet i revoltuar Xherahu.

Më tej, këngëtari vijon të thotë se në këtë mënyrë krijohen lobingje dhe se fitojnë ata me më shumë miq e favorizohen të paaftët, duke sulmuar kështu drejtpërdrejt fituesen e festivalit, për të cilën shprehet:

“… ku çmimin e parë ia dorëzojmë një njeriu që nuk ka lidhje me këngën dhe të kënduarin, por vetëm me tekstin dhe pak aktrimin, siç ishte Rozana Radi”.

Fjalë të rënda këto të këngëtarit Devis Xherahu, i cili në fund shprehet se zgjidhja do të ishte një juri profesionale, e cila i vlerëson ftohtë të gjithë.

Si do të reagojë produksioni i “Këngës Magjike” pas këtij shkrimi?