Gazetarit dhe analistit të njohur Andrea Stefani, i ndarë nga jeta të  shtunën pas një sëmundje të rëndë, iu dha sot lamtumira e fundit.

Në mjediset e Radiotelevizionit Publik Shqiptar,  u zhvilluan homazhe dhe u  vendosën kurora pranë trupit të tij, ku përfaqësues të politikës, familjarë, miq e kolegë të gazetarit, zhvilluan homazhet e fundit në nderim të kujtimit të tij.

Advertisement

Homazhe ka zhvilluar edhe kryeministri Rama, i cili është takuar me familjarët e Stefanit, duke i shprehur nga afër ngushëllimet.

Homazhe kanë zhvilluar edhe ministra, deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Analisti dhe publicisti Andrea Stefani u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare ne një spital në Romë, aty ku kurohej prej disa kohësh, ndërsa sot trupi i tij do të prehet në Atdhe.

Andrea Stefani u bë i njohur në fillim të viteve ’90 si gazetar ekonomik e më pas si analist politik. Ai ka qenë krijues dhe kontributor në disa media kryesore shqiptare. Stefani do të mbahet mend për qëndrimet e tij parimore, jo konformiste dhe polemikat e forta e plot nerv veçanërisht në studiot televizive. Vitet e fundit ai ishte nismëtar dhe i disa iniciativave të rëndësishme të shoqërisë civile. Andrea Stefani ka lënë pas edhe disa libra të vlerësuar si “Komplot kundër lirisë” dhe “Albanistan”.