Gazetari dhe analisti i njohur Andrea Stefani është ndarë nga jeta këtë të shtunë pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Andrea Stefani ndërroi jetë sot në Romë.
Ai luftoi me një sëmundje të pashërueshme. Ikja e tij është edhe një humbje për median shqiptare.
Politikanë dhe përfaqësues të medias kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të analistit Stefani.
Një lajm tronditës e cilësoi kryeministri Edi Rama ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit Andrea Stefani.
Përmes një postimi në Facebook, Rama shkruan se Stefani ishte një patriot i mirë e qytetar i angazhuar për idealet e idetë ku besoi deri në fund!
“Një lajm tronditës për humbjen e madhe të një njeriu e patrioti të mirë, gazetar i pakompromis e qytetar i angazhuar për idealet e idetë ku besoi deri në fund!… Lamtumirë ANDREA STEFANI”, shkruan Rama.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli përmes një statusi në Facebook, ka shprehur hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të analistit Stefani.
“Një tjetër mik i mirë largohet nga jeta. Jam e pa fjalë për humbjen e parakohshme të Andreas. Lamtumirë djalë i mençur, penë e fortë, baba i devotshëm, djalë, vëlla e bashkëshort i mirë, qytetar i drejtë e i guximshëm! R.I.P. #AndreaStefani”, tha Kodheli.
Edhe Konventa e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka mbajtur një minutë heshtje për nder të analistit dhe publicistit të njohur Andrea Stefani, i cili u nda nga jeta ditën e sotme.
Kreu i grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha se sot nderojmë një personalitet të fjalës së lirë.
Stefani punoi mbi 20 vjet si gazetar dhe opinionist në organe të ndryshme të medias shqiptare dhe njihet për qëndrimet dhe pikëpamjet jo konformiste.
Ai ka qenë kryeredaktori themelues i së përditshmes “Shekulli” dhe për shumë vjet drejtues i programit investigativ antikorrupsion “Hapur”.
Për më shumë se 10 vjet është i pranishëm në debatet e përjavshme televizive.