Rrezikohet privatësia? WhatsApp do të ndajë të dhënat tuaja personale me të tjerët

Kur Facebook bleu aplikacionin e WhatsApp në 2014-ën, një prej themeluesve të saj deklaroi se nuk do të kishte asnjë problem me privatësinë e të dhënave duke dhënë fjalën se marrëveshja nuk do të prekte privatësinë e të dhënave të përdoruesve të saj.
Asokohe ai shkroi: “Ne nuk dimë ditëlindjen tuaj, as adresën e shtëpisë. Asnjë prej këtyre të dhënave nuk është mbledhur ndonjëherë nga WhatsApp dhe kjo gjë nuk ka për të ndryshuar.”
Por dy vite më vonë WhatsApp ndryshon politikat dhe sic duket do të nisë të ndajë të dhënat e përdoruesve edhe me Facebook-un.
Një ditë më parë u njoftua se WhatsApp do të nisë të lidhë numrat e telefonit dhe të dhënat personale të përdoruesve me Facebook-un.
Kompania gjithashtu planifikon që të lejojë bizneset e ndryshme të kontaktojnë me qytetarët përmes përdorimit të aplikacionit.
“Dëshirojmë të gjejmë një mënyrë që t’ju lejojmë të komunikoni me bizneset që kanë rëndësi për ju, ndërkohë që sërish nuk do të lejojmë reklamat dhe spam-et”, thuhet në blog-un e WhatsApp-it.
Kështu, Facebook do të ketë të drejtë të përdorë numrin tuaj të telefonit për shërbime të ndryshme, përfshi gjetjen e miqve dhe sugjerimet, reklamimet etj.
WhatsApp ndër të tjera ka thënë se askush nuk do të ketë mundësi të lexojë mesazhet tuaja private.

Advertisement