Lu letër deputetëve: Votoni reformën edhe pa kompromis

Ambasadori amerikan Donald Lu u ka dërguar një letër deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me reformën në drejtësi. Duke u kujtuar deputetëve se SHBA kanë qenë dhe do të mbeten gjithnjë aleati strategjik në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, Lu bën thirrje për një vendimmarrje sa më të shpejtë.
“Votimi për reformën është planifikuar më 21 korrik, është koha për të marrë një vendim. SHBA dhe BE mbështesin projektin e miratuar në komision më 14 qershor”, thotë Lu në letrën e tij.
Duke vlerësuar se projekti në fjalë është sipas standardeve të Komisionit të Venecias dhe se propozimi i opozitës për vendet e rezervuara do t’i etiketonte anëtarët e komisionit të vetingut si elementë politikë, diplomati amerikan shpreh bindjen e tij se ka ende kohë për konsensus.
Megjithatë, “nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën”, shton Lu.

Letra e plotë e ambasadorit Donald Lu

Advertisement

“Të nderuar deputetë të Kuvendit, Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë aleati juaj strategjik në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe të demokracisë shqiptare. Sot, korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin tuaj të drejtësisë kërcënojnë shëndetin e shoqërisë tuaj dhe dobësojnë aleancën tonë. Si aleat i NATO-s, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të mbetet një demokraci e fortë dhe e sigurtë.
Prej gati dy vitesh kemi punuar në mbështetje të përpjekjeve tuaja për të reformuar sistemin tuaj të drejtësisë. Gjithashtu kemi punuar në mënyrë konsekuente për t’u siguruar që si zërat e opozitës, ashtu edhe të mazhorancës të kenë kontribuar për këtë reformë.
Komisioni i posacëm parlamentar për reformën në drejtësi miratoi projekt reformën më 14 qershor. Votimi i plotë në Kuvend është planifikuar për dantë 21 korrik. Tani është koha për të marrë një vendim.
Është krijuar një projekt që është më i mirë, më legjitim dhe i pranuar më gjerësisht sesa projekti fillestar i ekspertëve të paraqitur në muajin shtator. Ky projekt mbështetet si nga qeveria ashtu dhe nga opozita, me përjashtim të një cështjeje, kërkesës së opozitës për vendet e rezervuara.
Më e rëndësishmja, projekti i 14 qershorit i komisionit të posacëm parlamentar përmbush plotësisht standardet e Komisionit të Venecias dhe standardet europiane. Shtetet e Bashkuara dhe BE e kanë mbështetur këtë projekt. Kemi dëgjuar gjithashtu shqetësimet për paragrafin 88 të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias.
Sugjerojmë që ndërsa merrni në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, të lexoni që të dy paragrafët, 61 dhe 88. Paragrafi 88 është një përmbledhje e të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Zgjedhja e komisionerëve të vetingut diskutohet më në hollësi në paragrafin 61. Për të përftuar një kuptim më të plotë mbi dy rekomandimet e KV ia vlen të lexohen të dy.
Të dy paragrafët vërejnë se qeveria dhe opozita e kanë të vështirë të bien dakord për shumicën e cilësuar me 3/5 apo 2/3 e votave për zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve. Komisioni i Venecias rekomandon që nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional. Ata nuk rekomandojnë apo përmendin kurrë modelin e vendeve të rezervuara.
Në fakt, ka një sërë sistemesh proporcionale, përfshirë votën e vetme të transferueshme, votimin e balotazhit të menjëhershëm, votimin e shumëfishtë, eliminimin dhe votimin Kondorse. Secili prej këtyre sistemeve proporcionale do të ishte në përputhje me Komisionin e Venecias.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do t’i etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut ose pro qeverisë, ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do ta minonte këtë besim. Kemi vazhduar ta nxisim si qeverinë ashtu dhe opozitën të gjejnë një kompromis që është në përputhje me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe që do të shmangte etiketimin politik të anëtarëve të komisionit të vetingut.
Së fundi, ka ende kohë që udhëheqësit politikë të gjejnë një kompromis që të mund të mbështetet si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca. Duhet ta mbështesim të gjithë këtë kompromis. Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën. Paragrafi 87 i raportit të Komisionit të Venecias thotë se projekti i tanishëm i reformës është një propozim koherent e i shëndoshë dhe se është në përputhje me standardet europiane.
Shtetet e Bashkuara besojnë se kjo reformë është jetike për të ardhmen e vendit tuaj. Ju bëjmë thirrje që më 21 korrik të votoni pro reformës në drejtësi”.