Vendimit të Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar me 10 ditë ish-kryeministrin Sali Berisha, Partia Demokratike iu përgjigj me bojkot 10-ditor.
Vendimi është marrë këtë të shtunë nga mbledhja e Grupit Parlamentar, kryesuar nga Edi Paloka.
“Vendimin besoj se e morët vesh. Është bojkot për të njëjtin afat për të gjitha aktivitetet e Parlamentit. Pra për komisionet dhe seancën plenare sepse në një Parlament ku nderohen kriminelët dhe trafikantët e drogës dhe prostitutave dhe dënonhen ata që denoncojnë krimin, ky duket akti më i lehtë që mund të ndërmarrim”, tha pas mbledhjes jashtë radhe të grupit parlamentar, Edi Paloka.
Opozita e lexon vendimin e Byrosë së Kuvendit si përpjekje për t’i mbyllur gojën.
“Duket qartazi që kjo maxhorancë ka vendosur ose shpreson t’i mbyllë gojën opozitës. E ka gabim. Vetëm gojën s’mund të na e mbyllë kurrë edhe sikur të dalim fare nga ai Parlament. Ne tashmë e kemi filluar punën tonë si deputetë me Parlamentin e vertetë, qytetarët e këtij vendi”, shtoi Paloka.
Ndërkohë, para këtij vendimi ka reaguar përmes rrjeteve sociale, Lulzim Basha. Ai e lexon si shenjë krize të maxhorancës vendimin për të përjashtuar me 10 ditë Sali Berishën.