“Grupi i rebelëve” të Syrizas në Greqi nuk do të jetë më pjesë e kësaj partie. Ata kanë formuar një parti të re, që e kanë quajtur “Uniteti Popullor”. Partia do të drejtohet nga ish-ministri i energjisë Panajotis Lafazanis, të cilin kryeministri Cipras e largoi nga kabineti i tij, pasi votoi kundër marrëveshjes mes qeverisë greke dhe kreditorëve ndërkombëtarë për paketën e tretë të ndihmës financiare me vlerë 86 miliardë Euro.
Në përbërje do të kenë 25 deputetë, duke u bërë kështu forcë e tretë në parlamentin grek. Megjithatë në listën e publikuar nga e përditshmja Ta Nea, bie në sy mungesa e ish-ministrit të financave Janis Varufakis dhe e kryetares së parlamentit Zoe Konstantopulou edhe ata kritikë të marrëveshjes.
Largimi i tyre nga Syriza vjen një ditë pasi kryeministri Alexis Tsipras dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen, për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Analistët thonë se Tspras kërkon të testojë mbështetjen popullore, pasi siç u shpreh ai në fjalimin e të enjtes, “Ne nuk arritëm marrëveshjen që kishim planifikuar përpara zgjedhjeve të Janarit”. Tspras gjithashtu kërkon krijimin e një shumice të re qeverisëse pa praninë e grupit të rebelëve.
Gjithsesi pas dorëheqjes së qeverisë, ligji zgjedhor grek i jep të drejtën Demokracisë së Re, partisë së dytë më të madhe në parlament të formojë një qeveri të re. Kreu i saj, Vangjelis Meimarakis mori mandatin paradite nga presidenti Prokopis Pavlopulos. Të drejtën e kanë edhe komunistët dhe ekstremistët e djathtë të Agimit të Artë të tentojnë formimin e qeverisë, pas dështimit edhe të Demokracisë së Re. Gjithësesi, gjasa për formimin e saj nuk ka dhe vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja më 20 shtator.