Një foto e Mans Zelmerlov, fituesit të edicionit të 60-të të Eurovision-it, është komentuar gjatë ditët e fundit në rrjetet sociale.
Përfaqësuesi i Suedisë shfaqet në një foto i shtrirë në divan, ndërsa ka “vënë këmbët” mbi flamur që u përfol se ishte flamuri shqiptar.
Agneta Wahlgren, përfaqësuesja e delegacionit suedez që shoqëronte Zelmerlovin, ka deklaruar për “Presheva jonë” se “ai nuk ka shkelur mbi flamurin shqiptar dhe s’ka pasur ide se ka aty ka pasur ndonjë të tillë, pasi atë ditë ishin të gjithë në stres”.
Në fakt, këtë foto nuk e ka publikuar askush nga mediat e huaja, madje as ato serbe, të cilat përfitojnë të gjejnë një pretekst të kapen me shqiptarët.
“Foton që na keni dërguar, për herë të parë e shohim. Mund t’ju themi se këngëtari ynë, Mans Zelmerlov, është ulur rastësisht aty, pasi ishte i stresuar dhe as që e ka parë e as nuk e ka ditur se është flamur, fustan apo ndonjë bluzë e kuqe. Fundja, ai nuk ka shkelur flamurin, nëse e shikoni mirë fotografinë, ku shihen këmbët duke i mbajtur lart të mbështetura në mbajtëse. Nëse dëshironi të bëni një lajm sensacional, kjo është punë tjetër, por këngëtari ynë nuk e ka shkelur flamurin fare, nëse paska qenë vërtet aty ndonjë flamur që i ngjan flamurit shqiptar…”,- ka shpjeguar Wahlgren, duke shtuar se fajtorë janë ata që e kanë lënë aty flamurin.
Sipas saj, flamuri nuk është bluzë e as leckë të hidhet gjithandej, por mbahet me respekt në dorë apo të vihet diku lart.