Partia Demokratike ka çelur zyrtarisht të enjten pasdite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015.
Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij, kërkoi nga qytetarët që me votë të ndalin marshimin e së keqes, të flakin papunësinë dhe varfërinë dhe të kthejnë shpresën, për të shpëtuar pushtetin vendor.
“Të fitojmë me votë dhe të fillojmë me votë një histori të re pranë qytetarëve dhe për qytetarët. Nisemi sot me problemet e mëdha që ka vendi dhe shoqëria shqiptare, duke i ndjerë thellë në shpirt si një përkushtim. Ka rrugëdalje dhe rrugëdalje propozojmë, ka zgjidhje dhe zgjidhje do të japim”, tha Basha.
Sipas kreut të PD-së, “papunësia, varfëria, pasiguria, përkeqësimi i pandërprerë, eksodi masiv i qytetarëve, të gjitha këto nuk janë fatalitet, por damka e qeverisë Rama-Meta”. “E kemi treguar dhe do të tregojmë se dimë t’i japim vendit mirëqenie. Me përtëritjen tonë që vazhdon, me bashkimin tonë. Ne demokratët nisemi sot me zgjidhjen dhe për zgjidhjen që meritojnë shqiptarët. Punë, mirëqenie dhe dinjitet”, tha ai.
“Me votë t’i ndalim dhe me votë t’i kthejmë reston e gënjeshtrave dhe mashtrimeve. Me votë t’ua shfryjmë arrogancën dhe arbitraritetin. Me votë të krijojmë një pol fuqie qytetare që do të diktojë menjëherë, uljen e çmimit të energjisë, faljen e kamatëvonesave, ulje taksash dhe mbështetje për bizneset; ulje të tarifave për studentët, rihapjen e filialeve të universiteteve publike, heqjen e TVSH-së për mallrat e shportës. Me votë të shpëtojmë pushtetin vendor, nga rreziku i aneksimit. Të rrisim me përgjegjësi dhe profesionalizëm, burimet në bashkitë që do të drejtojmë. Në detyrën tonë fisnike si opozita e vendit, kemi denoncuar zinxhirin e skandaleve qeveritare”, theksoi kreu i PD-së.
Basha deklaroi se më 21 qershor qytetarët do të vendosin për të ardhmen e tyre dhe zgjedhjet janë vendimi suprem, janë shpëtimi. Ai bëri thirrje për votimin e kandidatëve të opozitës, ndërsa vuri në dukje si dy nga problemet më të mprehta sot për sot në vend, varfërinë dhe pasigurinë.
“Unë jam i bindur se qytetarët shqiptarë janë të përgatitur të bëjnë një zgjedhje të mençur dhe të drejtë. T’i japim një shans jetës sonë. Të votojmë masivisht kandidatët e PD-së, kandidatët e opozitës”, tha Basha.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, deputeti Arben Ristani, në fjalën e hapjes, deklaroi se kandidatët e PD-së janë më të mirët, ndërsa u kërkoi qytetarëve që në zgjedhjet e 21 qershorit të zgjedhin punën dhe dinjitetin.
Pas tij e ka marrë fjalën edhe kandidatja për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila theksoi se do të punojë për të gjithë qytetarët, pavarësisht se kë parti ata mbështesin.
Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, tha se e gjithë Shqipëria po pret shpresën nga opozita. “Do t’i çojmë Durrësit fitoren dhe do të jemi fituesit e mbarë Shqipërisë. Sot realiteti është i dhimbshëm, por kurrsesi pa shpresë”, tha Duma.
Ndërsa kandidati për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, garantoi qytetarët e Tiranës se do t’u shërbejë më mirë se cilido kandidat, që garon në këtë garë.
Kosova tha se, ka një vizion të qartë për adresimin e të gjitha problemeve me të cilat përballet sot kryeqyteti. “Asnjë arsye e lidhur me interesa personale nuk më ka shtyrë për këtë. E vetmja arsye është dëshira që është obligim i çdo qytetari për t’i shërbyer qytetarëve të tij. Unë garoj sepse kam bindjen se do t’ju shërbej juve më mirë dhe më shumë se kushdo tjetër, që ka shprehur të njëjtën dëshirë. Po garoj se i kam të qarta objektivat, nevojat që duhen plotësuar, problemet që duhen zgjidhur, ëndrrat që duhen zbatuar në kryeqytetin tonë”, tha Kosova.
Ai theksoi se “po garoj se dua të përmirësoj frymëmarrjen e qytetit, dua të përmirësoj edukimin e fëmijëve dhe të ofroj më shumë mundësi për sport dhe lodra për ta. “Dua të marr në mbrojtje njerëzit e varfër. Nuk di të mbaj fjalë të gjata, të zhytem në replika, të kacavirrem pas fjalëve, të udhëheq militantë. Oferta ime është integriteti, ndershmëria, transparencë, punë pa ndalim, shërbim ndaj secilit qytetar të Tiranës. Si kryetar Bashkie ju garantoj se do vazhdoj të jem i devotshëm për të përligjur besimin tuaj. Nuk jam në garë për të bërë karrierë politike. Unë do jem kryetar i Bashkisë së vijave të bardha kur ato janë fshirë nga konsumi, kryetar i Bashkisë së ndriçimit të rrugës për shkak të poçit të thyer, i trotuarit të dëmtuar, i koshit të mbeturinave”, tha ai.