Ribashkohet grupi “Asgjë sikur Dielli”

Pas një ndërprerje prej 4 vitesh, kur Alban Nimani provoi karieren si solist, grupi Asgjë Sikur Dielli vendosi të ribashkohet për të publikuar albumin e ri, të tretin me rradhë.
Grupi rikthehet në përbërjen: Bujar Hundozi në kitarë, Alban Nimani në vokal, Fatos Berisha në timpane, Labinot Krasniqi në bas dhe Faton Dolaku në tastierë.
Albumi i ri që pritet të publikohet së shpejti do të ketë 8 këngë.
Nimani pas publikimit të lajmit për ribashkim deklaroi: “Jam i gëzuar që rikthehem në grupin ku kam filluar karierën. Jam kthyer në shtëpi, dhe adhuruesve tanë do t’u sjellim këngë që i kanë pritur gjatë”.
Kitaristi dhe bashkëthemeluesi i Asgjë Sikur Dielli-it Bujar Hundozi me këtë rast tha: “Po vazhdojmë së bashku aty ku ndaluam para disa vjetësh. Por, tani me energji të re, me këngë të reja. Po punojmë që sa më shpejtë të caktojmë datën e koncertit të parë”.
Para publikimit të albumit, grupi ka vendosur të publikojë edhe video klipin e ri të këngës “Unë të dua ty” që gjendet në albumin e ri. Kjo video do të publikohet të premten në Tiranë, në orën 22.00 te Piramida.
Basisti i parë i grupit Visar Qeska gjendet në Gjermani, ndërsa Kushtrim Hoxha që zëvendësoi shkurt Alban Nimanin gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asgjë Sikur Dielli është formuar në vitin 1996 dhe deri tani ka publikuar dy albume, ‘1’ më 1999 dhe ‘Ndodhemi’ më 2004.

Advertisement