PS: Basha po mbyll mandatin e dështuar

Partia Socialiste ka akuzuar Kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha, se nuk ka mbajtur premtimet që u ka bërë qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, deputetja Blerina Gjylameti tha se Basha po mbyll një mandat tërësisht të dështuar.
“Luli ka vendosur të çudisë të madh e të vogël duke pretenduar se paska krijuar plot 25 000 vende pune.
Pra, sipas Lulit, 25 000 qytetarë të kryeqytetit i hipin çdo mëngjes tramvajit të Lulit për të shkuar në vendet e punës që ka hapur Luli.
Nëse Lulzim Basha do të kishte pasur kurajon të ballafaqohej me qytetarët e Tiranës për bilancin e mandatit të tij ndoshta sot do të kishim pasur edhe ne mundësinë të mësonim se ku janë hapur këto vende pune dhe sesi i ka hapur Luli këto vende pune.
Fakti është që zyra e punës së Bashkisë Tiranë është sot një institucion që ekziston vetëm në letër dhe që gjithë e gjithë ka punësuar vetëm 7 punonjësit e kësaj zyre.”
Sipas Gjylametit, në 21 qershor qytetarët do të votojnë për t’i dhënë fund kësaj situate të papranueshme.

Advertisement