Politikanët urojnë Pashkët

Arkiv

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shoqëruar nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, ka uruar besimtarët për festën e Pashkëve nga Katedralja ortodokse në Tiranë.
“Uroj të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shenjtë të Pashkës, e cila na sjell në mendje vlerat e besimit dhe sakrificës. Pikërisht këto duhen parë si rruga që na çon drejt dashurisë, faljes, mirësisë dhe të ardhmes më të mirë. Kjo ditë e shenjtë e Pashkës dhe ringjalljes është një mundësi e shkëlqyer për të besuar se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe të gjithë së bashku duhet të punojmë për këtë. Kjo festë është gjithashtu e të gjithë shqiptarëve, falë harmonisë fetare që gëzojmë”, uroi Ilir Meta.
Në këtë ditë feste besimtarët ortodoksë kanë marrë një urim edhe nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
“Gëzuar këtë ditë të bukur të Pashkëve. Këto janë të gjitha ditë gëzimi, ditë festash, që tregojnë se ne jemi të gjithë bashkë. Ne emër të Qeverisë shqiptare ju urojmë të gjithëve gëzuar dhe atyre që besojnë te dielli, te natyra, te Perëndia dhe gjithçka të bukur që ka Shqipëria”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës.
Nuk ka munguar as lideri i opozitës, Basha edhe ai nga Katedralja ‘Ngjallja e Krishtit’.
“Të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë kudo janë, iu uroj nga zemra gëzuar Pashkët. Shpresa dhe besimi që rilindin për ta në këtë ditë, uroj që të agojë në vatrat e çdo shqiptari dhe shqiptareje. Uroj gjithashtu që mirësia e Zotit të zbresë dhe të paqëtojë zemrat e të gjithë shqiptarëve e t’u japë forcë atyre të përballojnë vështirësitë me të cilat përballen. Uroj gjithashtu që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja, me më shumë paqe”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ndërkohë që zëvendëskryeministri Peleshi ka zgjedhur qytetin e tij Korçën.
“Gëzuar këtë ditë të shenjtë. Jam i bindur që ashtu siç solli pranverën do të sjellë ditë më të mira në vijim për të gjithë shqiptarët”, tha Niko Peleshi.

Advertisement