Ndërsa për Partinë Socialiste lista e kandidatëve në garë për Bashkinë e kryeqytetit është ngushtuar në vetëm dy emra, sa i përket Partisë Demokratike ende qarkullojnë katër të tillë.Alternativat e saj janë disa dhe secili me një profil aspak të ngjashëm me tjetrin. Në renditje alfabetike ata janë: Besnik Aliaj, Grida Duma, Halim Kosova dhe Jorida Tabaku.
Ajo që i bashkon është vetëm kualifikimi i lartë akademik në fushat e ekspertizës përkatëse. Të katërt janë me titull doktor shkencash; Besnik Aliaj si urbanist, Grida Duma për shkencat sociale, Halim Kosova si mjek gjinekolog dhe Jorida Tabaku në ekonomi.
Besnik Aliaj u përfshi në politikë si pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave dhe pranoi të përballej në vitin 2005 me Kryeministrin Fatos Nano, në Sarandë. Pas fitores së demokratëve ishte këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe më pas i Kryetarit të Bashkisë, Basha, për çështjet e urbanistikës. Gjatë gjithë këtyre viteve, Besnik Aliaj nuk ka bërë protagonistin dhe, duke iu kushtuar profesionit, i ka qëndruar larg debatit të përditshëm politik, çka e ka mbajtur larg vëmendjes së qytetarëve.
E kundërta mund të thuhet për kandidaten tjetër, Grida Duma, e cila u njoh në 2011-n, pasi bëri moderatoren e bashkëbisedimit me qytetarët të kandidatit Lulzim Basha. Që atëherë, Grida Duma ka patur një karrierë të shpejtë politike, zëvendësministre e Integrimit dhe, me riformatimin e lidershipit demokrat, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun. Pjesëmarrëse aktive në çdo debat politik, Grida Duma ka veshur kostumin e një opozitareje luftarake. Gjatë këtyre muajve të fundit ajo është kujdesur që nga selia e Partisë Demokratike të denoncojë ekskluzivisht vetëm një ministër, Erion Veliajn.
Kandidatit tjetër, Halim Kosova, nuk i është dashur të mbajë një profil kaq të lartë publik për t’u njohur. Profesioni i tij i mjekut gjinekolog e ka bërë atë një figurë të nderuar në Tiranë dhe deri vonë, në 2013-n ishte i papërfshirë politikisht. Ai pranoi një ftesë të Kryeministrit Berisha për t’u bërë ministër i Shëndetësisë në muajt e fundit të qeverisjes dhe, nga ai pozicion, ishte mjaftueshëm kritik për sistemin e dobët shëndetësor që drejtonte. Gjatë kohës së opozitës Halim Kosova ka ruajtur një profil të ulët politik, duke mbajtur të larta kuotat e profilit të tij human.
Kandidatja tjetër, Jorida Tabaku, është një miks mes profilit politik dhe atij profesional, çfarë ia lejon karriera e saj në qeverisjen e Partisë Demokratike, një parti ku ajo është anëtarësuar që adoleshente dhe pati mundësinë të hynte në politikën e lartë aktive si zëvendësministre e Integrimit në vitin 2009. Pas zgjedhjeve lokale, Jorida Tabaku u bë pjesë e stafit të ngushtë të kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, dhe për dy vjet të tjera kreu detyrën e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, çka i lejon asaj të ketë njohje nga brenda të funksionimit të sistemit. Periudhën në opozitë, Jorida Tabaku e kornizuar me një sjellje joagresive, ka mbrojtur çështje të rëndësishme të Partisë Demokratike, që kanë të bëjnë kryesisht me mirëqenien e qytetarëve, taksat dhe çmimet.