Tiranë | Llalla: Mbrojtja e të dhënave personale, detyrim

Prokuroria Shqiptare ka në fokus të veçantë mbrojtjen e të dhënave personale gjatë procesit hetimor. “Për Prokurorinë Shqiptare, diskutimi mbi mbrojtjen e të dhënave personale gjatë hetimit është një çështje shumë e rëndësishme. Kjo çështje është ligjore dhe etike njëkohësisht. Në radhë të parë, është ligjore, pasi sigurimi i të dhënave personale është e parashikuar shprehimisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në aktet të tjera ligjore. Po ashtu, është edhe një çështje etike. Çdo person, përfshirë edhe prokurorët, që, për shkak të detyrës përpunojne të dhëna personale, duhet domosdoshmërisht të mbrojnë integritetin moral dhe personal të qytetarëve.”, tha Llalla. Sipas Llallës, mbrojtja e të dhënave personale, krahas detyrimit ligjor, nga ana e prokurorisë është formalizuar edhe me një Memorandum Mirëkuptimi me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. “Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit, Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë edhe një Rregullore të Posaçme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Pikërisht, një vit më parë, më 10 Prill 2013, kjo Rregullore ka marrë fuqi detyruese.”, bërit të ditur Llalla. “Po ashtu, shtoi Kryeprokurori, i gjithë stafi i prokurorisë ka nënshkruar një “deklaratë konfidencialiteti”. Nëpërmjet këtij dokumenti, çdo punonjës pranon përgjegjësinë për të respektuar mbrojtjen e të dhënave dhe penalizmin e menjëhershëm disiplinor nëse konstatohen shkelje.” Kryeprokurori Llalla tha se, “krahas Rregullores, Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë edhe një Urdhër të veçantë për publikimin e informacioneve nga ana e institucionit. Komunikimi publik realizohet nëpërmjet zyrës së posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme, në të cilën i kushtohet një rëndësi të veçantë pikërisht mbrojtjes së të dhënave personale. Pra, nënvizoi Llalla, në aspektin formal, nga ana e prokurorisë janë marrë masat e nevojshme me akte nënligjore për respektimin e të dhënave personale.” Së fundmi, Llalla u shpreh se, Shqipëria është në një proces të pandërprerë të forcimit të demokracisë. “Në këtë kuadër, çdokush që ushtron një funksion publik duhet të jetë i ndërgjegjshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe ato personale. Organi i prokurorisë e vlerëson një prioritet të veçantë respektimin e të drejtave të njeriut dhe në çdo kohë do të vijojë të jetë garant për mbrojtjen e tyre.”, përfundoi ai.

Advertisement