Tiranë | PD: Përgjegjësit për rendin të japin llogari

Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani reagoi për situatën e pasigurisë dhe përpjekjet e qeverisë për ta deleguar përgjegjësinë tek aktorët e tjerë në vend. “Vrasje mafioze, tritol në banesa, në makina në qendër të qyteteve e kudo, grabitje me maska, banda që qëllojnë autobusët e linjave interurbane, sulme brenda në komisariat, krime brenda shkollave, rritje galopante e vjedhjeve dhe krimeve kundër pronës, ky është bilanci i rendit sot”, u shpreh Ristani. Sipas tij, “të paaftë për t’u qëndruar përgjegjësive që kanë për këtë gjendje, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, po tentojnë së fundmi të lajnë duart me një paketë justifikimesh që i nxjerr ata si personazhe komike në këtë situatë tragjike të rendit”. “Larje hesapesh e vetëgjyqësi, thotë Ministri i Brendshëm, Përgjegjëse është Prokuroria, thotë Kryeministri, por nuk janë në gjendje të tregojnë sa raste kanë dërguar pranë këtij institucioni për hetim. Po kërkojnë t’ia kalojnë përgjegjësinë Shërbimit Informativ të Shtetit, ndërkohë, vetë Ministri, i ka shkrirë e degraduar sektorët anti-terror të policisë në rrethe dhe me zëvendësimet politike ka shkëputur cdo lidhje të policisë me informacionin në terren”, tha Ristani, duke shtuar se, “sipas Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, faj kanë kompanitë celulare dhe AKEP për situatën e rënduar kriminale pasi ekzistojnë numra telefoni pa pronar. Fajin për krimin në vend e ka Bashkimi Europian, sepse heqja e vizave ka sjellë trafikimin e femrave thotë drejtuesi i Policisë. Kjo është njësoj si t’i kërkosh Europës të vendosë regjimin e vizave se ne kemi një qeveri të paaftë të bëjë punën e saj”. “Shqiptarët dhe Shqipëria janë sot vetëm në dorë të Zotit sepse Policia është zhbërë”, theksoi Ristani, duke shtuar se “pasiguria e qytetareve sot mund të krahasohet vetëm me vitin e mbrapshtë 97”.

Advertisement