Rita Ora do të jetë pjesë e kastit të përshtatjes kinematografike të “50 Shades of Grey”. Këngëtarja ka cicëruar e gëzuar për përfshirjen e saj në film mbrëmjen e djeshme: “Është zyrtare! Jam në kastin e @FiftyShades of Grey si Mia, motra e Christian-it”. Ky rol shënon një kthesë në karrierën e 23 vjeçares, e cila e ka shprehur edhe më parë interesin për të aktruar. “Aktrimi është diçka ku do të doja shumë të përfshihesha, sidomos nëpër filmat me aksion. Mund të isha vajza BOND që lufton”,- është shprehur më parë ajo. Me sa duket Rita e ka quajtur gjithmonë veten aktore duke qenë se gjatë adoleshencës ka frekuentuar Sylvia Young Theatre School. Gjithashtu kujtojmë se ajo ka qenë pjesë e kastit të “Fast and Furious 6”.
Filmi “50 Shades of Grey” ka filluar xhirimet në Vancouver, mban regjinë e Sam Taylor-Johnson dhe që në fillim ka patur një incident të vogël. Charlie Hunnam-it, protagonistit fillestar, ju desh të largohej nga projekti si pasojë e “konfliktit” në axhendën e tij të punëve ndaj u zëvendësua nga Jamie Dornan. Ju që keni lexuar librin si ju duket Rita si zgjedhje për të mishëruar Mia-n në këtë film që pritet me padurim nga miliona fansa në mbarë botën?