Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, përshëndeti sot konferencën ku u publikua Karta raportuese “Varfëria e fëmijëve në Shqipëri”. Ky raport u përgatit nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, mbështetur nga UNICEF. Në të paraqitet një vështrim krahasues i mirëqenies së fëmijëve në Shqipëri, duke përdorur të dhëna dhe shifra të viteve të fundit. Në këtë takim merrnin pjesë Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri z. Detlef Palm, Drejtori i sektorit të Politikave, Ekonomisë dhe Informacionit të Delegecaionit të BE në Shqipëri z. Clive Rumbold dhe përfaqësues të ministrive të linjës në vend. Ministrja Gjosha theksoi se morali, ligji dhe politika janë të dedikuar ndaj mbrojtjes përfshirjes dhe përparimit politik, social dhe ekonomik të fëmijëve. “Me gjithë këtë mbështetje të shumëfishtë dhe këto garanci të gjëra ligjore, jemi të vetëdijshëm se ballafaqohemi me sfida të mëdha, të prodhuara nga një tranzicion i gjatë dhe i lodhshëm. Këto sfida janë më të prekshme si rezultat i krizës globale dhe ngadalësimit ekonomik në Shqipëri. Do të doja të përmendja se Anketa e matjes së standardeve të jetesës e kryer në vitin 2012, tregon se gjatë periudhës 4-vjeçare 2008 – 2012, rreth 28,000 persona iu shtuan numrit të të varfërve në Shqipëri. Po çfarë tregon kjo? Sa prej tyre janë fëmijë? Dhe kjo është pyetja kryesore”, tha ministrja Gjosha. Sipas saj, popullata veçanërisht e varfër, ata që kanë vështirësi në sigurimin e nevojave bazë ushqimore, u rrit nga 1.2% në 2008 në 2.2% në 2012. Në total, përqindja e popullatës e konsideruar e varfër u rrit nga 8.7% në 2008 në 12.6% në 2012. “Kjo jetë në varfëri prodhon, sjell si pasojë, punën e të miturve nën moshën ligjore dhe fizike të mundshme, në profesione të vështira, braktisjen e shkollës që në vitet e arsimit të ulët, dhunën, abuzimin fizik dhe mendor”, tha Ministrja Gjosha. Ajo shtoi se mungesa e resurseve ekonomike çon në përjashtimin social të fëmijës, duke filluar nga lojërat e thjeshta që mbushin me gëzim jetën e fëmijës, reduktimin ose mungesën e kontaktit me fëmijë të moshës së tyre deri tek largimi i detyruar nga shkollimi dhe zhvillimi i aftësive sociale dhe profesionale. “”Ky është një realitet ndaj të cilit ne duhet të jemi të vetëdijshëm çdo ditë, çdo orë, çdo minutë. Jo vetëm në ditën e fëmijëve, javën e punës, apo muajin e shkollës. Ky realitet nuk mund të përballohet nga familja shqiptare e vetme, qoftë edhe me ndihmën e rrethit të saj familjar ose social. Me këtë realitet përplasen shumë familje shqiptare, një shqetësim të veçantë për Qeverinë shqiptare. Ne duhet të bëjmë të mundur përballimin e kësaj situate nga përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara të institucioneve publike shqiptare, të mbi 100 organizatave jo-qeveritare të angazhuara në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe organizmave ndërkombëtarë”, u shpreh ministrja në fjalën e saj. Ajo theksoi se kushtet për të përballuar këtë sfidë janë krijuar tashmë në vite dhe se qeveria shqiptare ka si një nga prioritetet më kryesore mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. “Kemi një Plan Veprimi 2012 – 2015 për të drejtat e fëmijëve, kemi në përgatitje strategji të re për mbrojtjen dhe përfshirjen sociale, kemi një bazë ligjore të plotë që rregullon çështjet e koordinimit dhe referimit të fëmijëve në rrezik, kemi strukturën institucionale, që nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, mbi 155 njësi të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në nivel komune dhe bashkie dhe njësi të të drejtave të fëmijëve në çdo prefekturë (12 gjithsej) dhe shumë njësi institucionale publike apo private për fëmijët”, nënvizoi ministrja. Ajo theksoi se nuk po anashkalohen rekomandimet e Raportit të Progresit 2013, mbi forcimin e kapaciteteve të Agjencisë, rritjen e numrit të njësive të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, zhvillimin e mëtejshëm të rrjetit institucional si shtëpitë e kujdesit për fëmijët, apo rritjen e fondeve publike të alokuara për këtë qëllim. ”Por ajo që dua të theksoj është zbatimi efektiv i masave në strategji dhe plane, dispozitave ligjore dhe përdorimi sa më efektiv i fondeve nga çdo institucion publik, privat apo ndërkombëtar”, u shpreh ministrja Gjosha. Ajo gjithashtu renditi drejtimet e punës së qeverisë, të cilat janë të qarta:
• Së pari, një politikë arsimore që siguron akses të barabartë në arsim që nga kopshti deri tek shkolla e mesme. Forcimi i sistemit arsimor është në mendimin tim një kusht parësor për çdo zhvillim ekonomik dhe social të vendit
• Së dyti, një politikë ekonomike dhe punësimi që siguron një nivel sa më të lartë punësimi. Puna është burimi kryesor i të ardhurave dhe rritja e punësimit do të ketë një impakt direkt në uljen e varfërisë tek fëmijët.
• Së treti, një politikë mbështetjeje ekonomike e mirë orientuar për mbështetjen e familjeve të varfra dhe në nevojë, përmes masave të ndryshme të mbështetjes sociale, një politike strehimi publik (banesat sociale), garantimi i shërbimit shëndetësor falas, etj.