Tiranë | Basha: protesta kundër armëve kimike, fitore e demokracisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së se, protestat kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri ishin meritë e qytetarëve dhe një fitore e demokracisë. Basha vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, sa i përket armëve kimike siriane, duke e quajtur si të pasinqertë tërheqjen e kryeministrit nga sjellja e armëve kimike në Shipëri. Basha u shpreh se, “Kemi kënaqësinë që si opozitë të shprehemi se ishim në anën e duhur të barrikadës, për këtë çështje madhore të jetës dhe dinjitetit njerëzor”. Ai gjithashtu falenderoi deputetët e opozitës për qëndrimet që kanë mbajtur në Kuvend. Basha tha se Kryeministri Rama tani po përpiqet të akuzojë opozitën dhe median e lirë si anti-amerikane. Por “Shqipëria është dhe do të mbetet vendi më pro Amerikan në Evropë e botë”. Basha theksoi se, opozita do të vijojë të jetë kundër vjedhjes dhe blerjes së votave, siç ndodhi në Korçë, pasi sipas tij, “të gjitha të këqijat e qeverisë Rama-Meta burojnë nga koncepti që ajo ka për cënimin e votë së lirë”. “Do të vijojmë të mbështesim hapat drejt integrimit Evropian, vazhdimin e anëtarësisë në NATO. Do të vijojmë betejën pa kompromis për shtetin ligjor, lirinë, transparencën, duke u shpallur kundërshtar me modelin Rama që ishte është dhe mbetet në papajtueshmëri me shtetin ligjor”, tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Advertisement