Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot, gjatë Konferencës Ndërkombëtare “Industria e detit dhe prespektiva e saj”, se duhet bërë më tepër për të zhvilluar sektorin e peshkimit në vend. “Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, sepse Shqipëria është një vend me potencial të madh në këtë fushë. Është një vend i vogël me potencial të madh. Shqipëria me detra, liqenet dhe lagunat e saj, ka faunën ndër më të pasurat që mund të ekzistojë. Në ujërat e kripura e të ëmbla të Shqipërisë rriten speciet më cilësore e më të mira, më të rralla të peshqve të Europës e më gjerë”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, ky sektor është i rëndësishëm. “Në të gjitha aspektet sot merr një rëndësi të veçantë ky sektor. Kur kriza ka pllakosur vendet e zhvilluara bëhet e qartë se beteja më themelore, më e rëndësishme është beteja midis rritjes ekonomike dhe recensionit”. “Është në detyrim të qeverive për të arritur rritjen ekonomike. Nëse hedhim një vështrim tek potencialet e këtij vendi dhe realitetin ku jemi, Shqipëria ka potenciale edhe 10 herë më shumë. Por kjo kërkon politika intensive. Kërkon qëndrime tërësisht të reja ndaj këtij sektori që mund të shndërrohet në një sektor të rëndësishëm të rritjes ekonomike dhe punësimit”, tha Berisha. Sipas kreut të qeverisë, kjo temë ka një rëndësi të madhe sepse vjen në këtë tryezë si një sektor gjysëm i harruar. “Në traditën tonë, në tryezën tonë peshku është një rishtar. Nuk ka ekzistuar një traditë në këtë vend. Trashëgimi kjo e një qëndrimi indiferent ndaj kësaj pasurie. Peshkatarët janë heronjtë e vërtetë, sepse me një jetë shumë të vështirë, jo pa rreziqe mbajnë familjet, jetën e tyre, pa mbështetjen që meritojnë”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, realiteti kërkon një politikë, një ndërhyrje të fuqishme transformuese. Berisha garantoi se “njëlloj siç morëm programet e mëdha kombëtare të zhvillimit do të marrim programin kombëtar të peshkut dhe peshkimit. Duhet të lançojmë një program kombëtar, i cili të përdorë të gjitha metodat dhe mundësitë për ta spostuar këtë industri ekonomike në nivele shumë më të larta se këto që ekzistojnë sot”. “Duhen zhvilluar fermat e peshkut. Shqipëria ka mbi 600 rezervuare, qindra liqene. Me pikatore bëhet shfrytëzimi i tyre, ose nuk bëhet fare. Me rëndësi është angazhimi i Universitetit Bujqësor të Kamzës, në krjimin e rasateve, në përpunimin e ujrave. Rëndësi ka ripërtëritja me shpejtëi e flotës së peshkimit”, u shpreh Kryeministri. Berisha garantoi se kjo do të jetë një nga përpjekjet më të para, sepse jemi tejet të vonuar. “Do të bëjmë gjithçka për të krijuar të gjitha lehtësitë e nevojshme për investimet në industrinë e peshkimit. Paketa e re fiskale përfshin tërësisht të gjitha mjetet, makineritë dhe çdo gjë tjetër që nevojitet në këtë fushë. Qeveria pret me interes konkluzionet dhe propozimet e kësaj konference”, përfundoi Kryeministri Berisha.