Drejtori për Zgjerimin në Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian Pierre Mirel , tha se “konsensusi i gjerë politik, miratimi i legjislacionit të nevojshëm, zbatimi i reformave sipas kritereve të integrimit dhe zgjidhja e një sërë çeshtjeve të tjera do të bëjnë të mundur integrimin e Shqipërisë”. Në mbledhjen e Komitetit të Integrimit për projektet e IPA-s , Mirel theksoi se, “këto janë disa nga elementët e rëndësishëm që kërkon procesi i integrimit dhe të cilat Shqipëria duhet të përmbushë. Konsensusi për integrimin duhet të përkthehet në legjislacionin e BE-së në mënyrë që vendi të ecë përpara”. “Ka 4 elementë të rëndësishëm për integrimin. Konsensusi i gjerë në vend, që është i domosdoshëm, që do të thotë që të gjitha partitë duhet të jenë në gjendje të tejkalojnë vështirësitë që mendojnë se kanë për të miratuar legjislacionin e nevojshëm për të ecur para. Të merren përsipër reformat e guximshme sipas kritereve të aderimit, ne i kemi paraqitur këto në dokumentin strategjik se ka dy grupe çështjesh që krijojnë vështirësisë për aderimin, kriteret politike, liria e shprehjes, sundimi i ligjit dhe çështjet dypalëshe”, tha Mirel. Duke u ndalur në aspektin ekonomik dhe granteve që ka dhënë Bashkimi Europian për Shqipërinë, Mirel u shpreh se, “ka disa vështirësi me zbatimin e disa projekteve, për të cilat BE ka investuar shuma parash dhe disa bashki nuk po bëjnë sa duhet për to”. “Kam përshtypjen se nuk janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme sidomos nga bashkitë jo vetëm nga ministritë. Në disa bashki kemi investuar rreth 50 milionë euro dhe ato nuk kanë bërë aq sa duhet”, shtoi Mirel. Ministrja e Integrimit, Bregu, tha se, “që prej fillimit të mandatit në 2005 dhe pas MSA në 2006, BE dhe KE ka gjetur te qeveria shqiptare një partner të besueshëm. Nga viti 2007 deri më sot BE ka asistuar me 600 milionë euro, të investuara kryesisht për rritje kapacitetesh institucionale , infrastrukturë tregti, çështje të brendshme, në zhvillimin rural dhe kulturor, bashkëpunim kufitar, për çështje të mjedisit etj. Ministrja Bregu shprehu besimin se “Shqipëria është një shembull shumë i mirë i sfidave të para anëtarësimit për në BE, menaxhimi i mirë dhe ruajtja e një stabiliteti makroekonomik dhe fakti që Shqipëria sot ka ende një rritjte pozitive ekonomike e bën atë një vend i cili përballon jo vetëm sfidat që sjell procesi i integrimit, por që menaxhon dhe përballon kriza edhe më të fuqishme siç janë kriza financiare botërore”.