Tiranë | “21 Janari”: Prendi dhe Llupo të pafajshëm

Ish- Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe ish- gardisti Agim Llupo shpallen të pafajshëm nga Gjykata e Tiranës. Gjyqtari Besnik Hoxha, në vendimin e dhënë sot, lironte dy të pandehurit nga akuzat për vrasje në rrethana cilësuese, siç kërkonte organi i akuzës, pasi sipas Hoxhës, gjatë hetimeve nuk është provuar që dy të pandehurit kanë realizuar këtë vepër penale me dashje, por kanë qenë në zbatim të ligjit për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë. Po ashtu, Hoxha në vendimin e marrë ishte bazuar në një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Strasburgut për një rast të ngjashëm në Itali. Ndërsa ka lexuar vendimin për dy të akuzuarit, gjyqtari Hoxha kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-gardistit Agim Llupo si dhe heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-Komandatin e Gardës, Ndrea Prendi. Avokati i Ndrea Prendit komentoi për mediat se vendimi nuk lë vend për asnjë koment. Kurse avokati i gardistit Llupo shtoi se klienti i tij do të kërkojë dëmshpërblim për kohën e kaluar në paraburgim.

Advertisement