Tiranë | Debate në Kuvend, opozita braktis seancën

Deputetët e Partisë Socialiste braktisën punimet e seancës plenare të Kuvendit, pas debateve të forta, menjëherë pas vendimit të dhënë nga gjykata për ngjarjet e 21 janarit, ku të akuzuarit për vrasje u shpallën “të pafajshëm”. Fillimisht, debati nisi mes deputetit të PS-së, Saimir Tahiri dhe ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi. Më pas, deputeti socialist, duke e marrë fjalën në foltoren e parlamentit, tha se me vendimin e sotëm të Gjykatës “drejtësia mori fund”. Pas, kësaj deklarate deputetët e majtë u larguan nga salla. “Ju keni salduar thellë tek njerëzit mendimin që ky pushtet mund të vrasë, mund të rrënojë jetën dhe të ardhmen, dhe drejtësia i shpëton dhe nuk mban më njeri përgjegjësi. Sot i keni treguar shqiptarëve që është e rrezikshme që të kesh të drejtë, kur pushteti e ka gabim. Ne, me këtë parlament nuk kemi më punë, ne do të ikim”, deklaroi Tahiri. Në reagimin e saj të menjëhershëm kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i krahasoi deputetët socialistë me anëtarët e byrosë politike të sistemit komunist. “Ju jeni të njëjtët. Janë mësuar që për pesëdhjet vite të bënin prokurorin e gjykatësin dhe thoshin ‘t’i varin në litar’. Por, harrojeni, ka ndryshuar koha. Ti mund të jesh sekretari i parë i Tiranës, por si Xhelil Gjoni nuk mund të jesh o qyqar”, iu drejtua Topalli deputetit të PS-së, Tahiri. Duke marrë shkas nga vendimi për 21 janarin ajo theksoi se “kur drejtësia flet të gjithë duhet të heshtin”. Sipas saj, opozitarët janë “të paburrë” pasi i nxorrën në bulevard për t’i vrarë demonstruesit dhe ikën.

Advertisement