Ligji i ri elektoral, që hyri dje në fuqi, parashikon që kryetar i KQZ-së mund të jetë çdo shtetas që plotëson kushtet e mëposhtme: a)të jetë me moshë mbi 35 vjeç; b) të jetë me arsim të lartë; c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme: i) në fushën e së drejtës; ii) në administratën publike; iii) në administrimin e zgjedhjeve; iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike; ç) të mos jetë i dënuar penalisht; d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit; dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit; e) të mos ketë qenë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror; ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës. Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore dhe depozitohet pranë Sekretarisë së Kuvendit të Shqipërisë. Pas këtij hapi formal do të jetë komisioni i Ligjeve ai që do të ketë detyrimin të administrojë konkurentët që do të paraqiten, për të kryer më pas seanca dëgjimore me secilin prej tyre dhe përzgjedhjen në fund të dy kandidaturave alternative, të cilat duhet të kenë mbështetjen e 2/3 të anëtarëve të këtij komisioni. Ndërkohë pas dy javësh Kuvendi, sipas Kodit të ri Zgjedhor, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, duhet të përzgjedhë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët do të kenë mandat 6-vjecar. Brenda 10 ditëve nga përzgjedhja e anëtarëve të rinj, Kuvendi duhet të përzgjedhë edhe kreun e ri të KQZ-së, i cili do të ketë një mandat 4-vjecar.