Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një takim me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, i bëri thirrje ndërtuesve që të marrin përgjegjësitë e tyre, duke i dhënë fjalës ‘partneritet’ kuptimin e vërtetë dhe jo formal. “Plotësoni dosjet me dokumenta e paplotësuara. Bashkia nuk mund ta bëjë këtë proces më të pëlqyeshëm, por e ka bërë më të thjeshtë. Merrni kontakt me drejtorinë e urbanistikës dhe përfundoni me shpejtësi këto dosje. Në punën tonë udhëhiqemi nga ligjet, por edhe nga morali. Dhe është e pamoralshme të paraqiteni në zyrat e bashkisë vetëm kur keni nevojë të zgjidhni një problem tuajin, dhe atëherë kur kërkohet të zgjidhen problemet e një komuniteti të tërë klientësh dhe ish-klientësh që kanë paguar për banesat e tyre, ta kemi të vështirë t’ju gjejmë me adresë, celularë, e-mail apo korrierë. Ky nuk është partneritet”, deklaroi Basha për ndërtuesit. Duke theksuar se procesi po ecën me ritme të larta, pasi Bashkia është serioze në mbajtjen e premtimeve për hipotekimin e banesave, Basha pohoi se “33 objekteve të sotme do t’u bashkangjiteshin edhe 27 objekte të tjera, me lejet e përdorimit për 920 apartamente. Por këto familje duhet të presin edhe për pak kohë, jo sepse bashkia nuk ka kryer punë e saj, por sepse ndërtuesit nuk kanë përfunduar dosjet e tyre. Raste të tilla ka jo pak. Llogariten 130 objekte, ose mbi 2000 apartamente”. Hipotekimi i banesave, është cilësuar nga Basha, një shërbim i munguar për qytetarët e Tiranës. Gjithashtu kryetari i Bashkisë Basha ka folur edhe për planin e ri urbanistik duke theksuar se ai është drejt përfundimit dhe drafti i tij, ashtu siç është premtuar nga Bashkia e Tiranës, do të bëhet publik në maj. Edhe projekti fitues për zgjatimin e Bulevardit të Tiranës do të shpallet së shpejti dhe zbatimi i tij do të nisë brenda vitit. Kryebashkiaku, solli në vëmendje faktin që plani i ri urbanistik do të ketë kritere të rrepta për të gjithë ata që do të ndërtojnë duke përfituar nga hapësirat publike. Në këtë plan të hartuar me një metodikë që ka përfshirë të gjithë grupet e interesit, ndërtuesit janë anëtarë të grupit teknik dhe strategjik. “Ky plan do të bëjë të mundur që ndërtimet në qytet të mos bëhen sipas dëshirës së kryetarit. Përfundimi i planit do t’i jap fund një sage të gjatë të lodhshme, dhe tejet të politizuar të viteve të fundit. Është pikërisht ky plan, çelësi për procedurën e re të aplikimit për leje ndërtimi”, tha më tej Basha. Në mungesë të këtij plani, vuri në dukje Basha, një procedurë 55 ditore për marrje e lejes së ndërtimit, nuk do të jetë efektive, e besueshme dhe në përputhje me kërkesat e ligjit. “Ajo që unë garantoj është që bashkia nuk do i ketë dyert e mbyllura dhe kryetari i saj nuk do të jetë askush tjetër, veçse garanti i zbatimit të ligjit dhe jo një pengues i disave dhe nxitës i disa të tjerëve”.