Në vitet ’90 prodhimi i filmave shqiptarë u ndal. Ashtu si edhe shumë gjëra të tjera, edhe filmat duhet të trajtoheshin tashmë jo thjesht dhe vetëm si një mjet politik.
Gjithsesi, në dekadën e kaluar kemi parë një rritje të interesit për filmat shqiptarë, si nga shikuesit ashtu edhe nga artistët.
Kjo rritje e aktivitetit është një lajm i shkëlqyer dhe mund të themi se premton një fillim të ri. Filmat shqiptarë ende janë të fokusuar në jetën në fshat apo historitë e suksesshme të emigrantëve, pasi ato janë patjetër pjesë e realiteti shqiptar dhe japin rrëfime komplekse. Sidoqoftë, fokusi tashmë po diversifikohet në shumë aspekte të tjera të shoqërisë shqiptare. Ndoshta shumë shpejt do të shohim realitetin urban të një gruaje në hapësirën e punës? Një histori të një kërcimtareje të talentuar? Botën e fshehtë të një artisti tatuazhesh? Vitet e fundit janë prodhuar disa filma të shkëlqyer dhe nëse ky është fillimi, e ardhmja duke fantastike.
E ndërsa jemi në pritje të metamorfozës së kinemasë shqiptare, më poshtë po përmendim disa filma të cilët duhet të shihen patjetër. Është një kombinim i filmave të kohës së komunizmit dhe atyre të pas viteve ’90.
Përrallë nga e kaluara
I xhiruar në vitin 1987, ky film tregon historinë e 14-vjeçarit Gjino të detyruar të martohet me gruan shumë vite më të madhe se ai, Marigonë. Kjo për Gjinon do të thotë se nuk mund të vrapojë më fushave për të kapur zogj, ndërsa për Marigonë se nuk mund të jetojë e lumtur në krahët e burrit që dashuron. Ndërsa ata përpiqen të gjejnë një zgjidhje nën trysninë e prindërve dhe shoqërisë, skenat janë të shoqëruara me skena humori ku shfaqen traditat dhe zakonet shqiptare në një fshat të vogël. Në vitin 2015 filmi “Përrallë nga e kaluara” është ripërpunuar duke sjellë një cilësi më të lartë pamjeje dhe titra në gjuhë të huaj.
Bota
Bota është emri i një kafeneje në një fshat të izoluar, vendi i preferur i Julit, Norës dhe Benit. Kjo kafene është simbol i gjithë kujtimeve të tyre, por një ditë merret vesh se në fshat do të kalojë projekti i një rruge të re të madhe. Kjo do të thotë më shumë shqetësime për banorët e fshatit të qetë, por mbi të gjitha nënkupton përballjen me botën jashtë kafenesë së vogël. E ndërsa Juli do të jetë një ndër inxhinierët e rrugës, Nora dhe Beni merren me disa punë mistorioze, që do të zbulojnë një të shkuar të frikshme.
Krom
Një nënë e shurdhër ka humbur dy burrat dhe tani i duhet të gjejë një mënyrë për të rritur bijtë e saj. Ajo bie sërish në dashurim, ndërsa djali i saj që ndodhet mes pubertetit dhe xhelozisë fillon një punë të paligjshme në minierën e kromit. Familja përjeton kriza të vazhdueshme, deri sa mësuesi i shkollës merr përsipër ta drejtojë djalin adoleshent drejt burrërisë.
Kapedani
Në qendër të filmit është personazhi i Xha Sulos, konservatorit patriakal që përjeton emancipimin e gruas. Ndërsa ai sheh ëndrra ku është mbreti dhe urdhëruesi i gjithçkaje, në realitet ndodh që gratë përreth tij drejtojnë institucionet e shtetit, janë doktoresha dhe madje balerina. Ai është përfaqësuesi i mentalitetit të vjetër patriakal dhe tashmë nuk di të orientohet në shoqërinë e re që e rrethon. Përplasja e brezave dhe gjinive është portretizuar nëpërmjet këtij humori brilant që edhe sot e kësaj ditë të bën të qeshësh.
Pharmakon
Branko, një i ri shqiptar, rikthehet në vendlindje pas përfundimit të studimeve në Amerikë. Ai menaxhon një farmaci dhe bie në dashuri me farmacisten, Sarën, por e gjen veten të nënshtruar nga prezenca e të atit. Filmi trajton historinë në kërkim të së vërtetës, luftës ndaj shoqërisë dhe përballjen me frikërat e njëri-tjetrit.
Koncert në vitin 1936
I vendosur në kohën e monarkisë, filmi tregon për dy këngëtare shqiptare që vizitojnë një qytet të prapambetur dhe konservator. Prezenca dhe performanca e tyre trondit banorët e zonës, por mbi të gjitha, trondit administratën mbretërore të asaj kohe. Nëse sot ky film shkakton të qeshura dhe nostalgji, ai është shumë i kritikuar për mënyrën se si është ndërtuar pasi është një produkt direkt i propagandës komuniste kundër monarkisë.
Shqiptari
“Shqiptari” është një produksion gjerman që paraqet aventurat dhe fatin e keq të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. Arbeni lë fshatin dhe të dashurit të tij, në kërkim të një jete më të mirë. Ai kërkon të punojë në Gjermani, me qëllim që të sigurojë të ardhura për të mbajtur të afërmit dhe familjen. Vështirësitë dhe krimi në një vend të huaj, frika dhe presioni nga atdheu shkaktojnë dramën e këtij djali të ri.
Parullat
Një produksion franko-shqiptar që hedh dritë mbi praktikat e regjimit komunist. Fëmijëve në shkollë u indoktrinohen sloganet e partisë dhe më pas u kërkohet që t’i shkruajnë me gurë në faqen e malit. Gjithë kjo ngjarje zhvillohet nën sfondin e dashurisë së dy mësuesve që përpiqen të ndihmojnë fëmijët.