600 mijë euro për vrasjen Tom Doshit e Mëhill Fufit. Ekziston një video-regjistrim

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e News 24 ka dhënë disa detaje të tjera rreth zhvillimeve të sotme në PS.

Sipas tij, ekziston një kërcënim real për vrasjen e deputetit Tom Doshi dhe Mëhill Fufi. Sipas Hoxhës, personi i cili është kontaktuar për të vrarë Doshin dhe Fufin ka pranuar që ka marrë porosinë dhe se ka marrë 80 mijë euro parapagim për këto krime.
“Kanë qenë vënë 500 mijë euro për vrasjen e Tom Doshit dhe 100 mijë euro për vrasjen e Mëhill Fufit”, tha Hoxha.
Artan Hoxha tha se ekziston një video-regjistrim i personit që ka marrë porosinë për vrasjen dhe është bërë një takim edhe në zyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, deputetit Doshi dhe personit që pretendon se ka marrë porosinë për vrasjen.
Më tej Hoxha tha se për të gjitha këto takime ekziston e regjistruar edhe dëshmia e një personi tjetër. Por ndërkohë sipas gazetarit investigativ, pavarësisht këtyre të dhënave për kërcënime, nuk janë shtuar masat për sigurinë e jetës së deputetëve Mëhilli e Doshi.

Advertisement