Debati në Grupin e PS, Rama: Disa e shohin gotën gjysmë bosh! Blushi: Gotën po e pi ti të tërën!

Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, ku u mor vendimi për përjashtimin e deputetit Tom Doshi, është zhvilluar me debate të ashpra edhe mes kryeministrit Rama dhe Ben Blushit.

Pasi kryeministri Rama ka thënë “ka mes nesh nga ata që e shohin gotën gjysmë bosh”, fjalën e ka marrë deputeti Ben Blushi, i cili i ka thënë: “Nuk mund ta mbajmë ne përgjegjësinë për qeverisjen. Përgjegjësia është e jotja si kryeministër. Ti e ke marrë përsipër. Ne e shohim gjysmë bosh sepse të gjithë gotën po e pi ti”.
Me pas Rama i është drejtuar Blushit me fjalët: “Të kesh turp që flet kështu”

Advertisement

Blushi: Turp të të vij ty, sepse je i vetmi kryetar partie që qeveris pa mandat. E ke marrë peng partinë.

Edi Rama: S’e kam marrë peng partinë.

Ben Blushi: E ke marrë peng partinë se ke një vit e gjysëm që nuk bën zgjedhje.

Edi Rama: Zgjedhjet i bëra në 23 qershor.

Ben Blushi: Jo, jo, s’po bën zgjedhje se ke frikë të votohesh nga baza dhe të marrësh vota.

(Kërkon fjalën deputeti Koço Kokëdhima)

Ben Blushi: Jepja fjalën këtij priftit.

Gramoz Ruçi: S’ke pse ofendon deputetët kështu.

Ben Blushi: Nuk thashë ndonjë gjë të keqe. Nuk e ofendova.

Gramoz Ruçi: Mirë është ta mbyllim këtë mbledhje dhe të reflektojmë për ato që u thanë këtu.

Gjatë mbledhjes, deputeti Tom Doshi i tha kryeministrit Rama se është peng i Ilir Metës, për të cilin Doshi tha se është shndërruar në një tutor të kryeministrit.

Tom Doshi: Je peng i Ilir Metës. Eshtë kthyer Ilir Meta në tutorin tënd. Ti kam thënë rastet kur kanë dashur të më vrasin mua dhe Fufin por ti s’ke reaguar.

Tom Doshi: Ti je mosmirënjohes, je bukëshkelur, je qenia më e keqe që unë kam njohur. Më ka thënë Blushi para ca vitesh si ka mundësi që ti e beson atë, por unë të besova. Mos mendo që me deputetët që ke atje, (Paulin Sterkaj, Mimoza Havizi, Namik Kopliku) mund të hysh në Shkodër se në 2005 dhe 2009 këta bënin peticione për të të rrëzuar ty.