Steven Tyler ka mishëruar për vite me radhë stilin e jetës prej këngëtari të suksesshëm plot drogë, seks dhe rock’n’roll. Kjo jetë abuzive shpesh është dokumentuar, por askush nuk mendonte se artisti do kish shpenzuar kaq shumë para vetëm e vetëm për të kënaqur nevojat e tij për lëndë narkotike. Gjatë një interviste dhënë për një program australian, Tyler ka treguar shumën e paguar për “vesin” e tij: ”Realisht po flasim për shuma 5-6 milion $, por nuk ka rëndësi. Mund edhe të thoni se kam thithur gjysmën e Peru-së por pak rëndësi ka”. Shtypi shpesh e ka quajtur Steven dhe kitaristin e Aerosmith Joe Perry-n, Toxic Twins (binjakët toksikë) pikërisht për dashurinë dhe konsumimin që i bënin alkolit, drogërave dhe çdo gjëje që pason…
Stili i jetës prej “festaxhiu” vazhdoi nga fundi i viteve “70 deri në 1986-ën, vit në të cilin grupi vendosi të pastrohej dhe të mblidhnin atë që kish mbetur nga karriera e tyre. Por jeta nuk është film, ndaj në vitin 2009 Steven u bë pre e pasionit të rrezikshëm, këtë herë për lëndët farmaceutike. Pas 20 vitesh nga hera e fundit që kish qenë në një qendër rehabilitimi lideri e gjeti veten të detyruar që të kërkonte ndihmë për të dalë nga ky tunel…Sot në moshën 64 vjeçare Steven Tyler mund të vetëkonsiderohet me fat që është ende gjallë pas abuzimeve të tepërta gjatë karrierës së tij shumëvjeçare.
Mosha e pensionit vjen edhe për një rockstar të kalibrit të Steven… Paçka miliona dollarëve të shpenzuar në kokainë, “plakushi” ka ende shumë para në bankë…