3 eksplozive, farmacisë së babait të Tahirit e policit, 1 çaktivizohet

Dy shpërthime me lëndë eksplozive dhe një tentativ për atentat sërish me tritol i cili u çaktivizua nga policia, ndodhën në kryeqytet rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Pre e dy shpërthimeve (i pari në orën 02:50 dhe i dyti në 03:50) ranë farmacia e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe banesa e Alfred Numanit, shefi i Krimeve të Rënda në Korçë, njëherësh ish-shef i komisariatit numër 3 të kryeqytetit.
Po gjatë mëngjesit të hershëm, rreth orës 06:15 policia gjeti dy kallëpe tritoli të lidhura me tel pranë një stacioni autobusi, në rrugën “Muhamed Gjollesha”. Në këto kushte policia bëri shpërthim të kontrolluar për të shmangur pasoja fatale në njerëz, të cilët udhetojnë me linjat e autobusëve të kryeqytetit.
Lidhur me 2 shpërthimet me tritol në orët e para të mëngjesit, si dhe të një të treti të mbetur në tentativë, policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat 15 persona, të cilët po merren në pyetje për zbardhjen e plotë të akteve terroriste.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit sqaron:
1. Më datë 10.02.2015 rreth orës 02.55 në rrugën “Kongresi Manastirit“ në Tiranë, në motorrin e kondicionerit të murit të jashtëm, të farmacisë së shtetasit B.T, është vendosur lëndë shpërthyese e dyshuar eksplozive, ku ka dëme materiale.
2. Më datë 10.02.2015 rreth orës 03.50, në rrugën “Arben Minga“ pall 47/6 në Tiranë, është vendosur lëndë shpërthyese në katin e pestë në shesh-pushimin këtij pallati, në pronësi të shtetasve E.F dhe A.N. Nga shpërthimi ka dëme materiale në dyert hyrëse të apartamenteve.
3. Më datë 10.02.2015 rreth orës 06.15 në rrugën “Muhamet Gjollesha“ në Tiranë, pranë stacionit të autobuzit të Unazës, është konstatuar një pako e mbështjellë me natriban dhe një detonator elektrik.
Pas konstatimit, shërbimet e policisë dhe strukturat xheniere kanë bërë të mundur një shpërthim të komanduar duke parandaluar një tjetër ngjarje.
Aktualisht për ngjarjet e mësipërme janë ngritur grupet e hetimit dhe po kryhen veprimet hetimore e proçeduriale.
Këto tre ngjarje për momentin po hetohen së bashku, nën drejtimin e të njëjtit grup hetimor të Prokurorisë për Krime të Rënda. Në kuadër të këtij hetimi, po kryhen të gjithë veprimet e nevojshme procedurale.

Advertisement