Pas kapjes së shumës së parave prej 863 mijë eurove dhe dy patentave në emër të Saimir Tahirit, 25-vjeçari është vendosur përpara trupit gjykues.

Gjatë seancës gjyqësore, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se ndaj Sotës janë ngritur akuzat e pastrimit të produkteve të veprës penale dhe fshehje e të ardhurave, që kanë të bëjnë me shumën e konsiderueshme të eurove që i janë gjetur. Gjithashtu, ai akuzohet për mosbindje të punonjësit të policisë, pasi ka tentuar të largohet për t’iu shmangur kontrollit të policisë si dhe drejtim mjeti pa dëshminë përkatëse.

Advertisement

25-vjeçari Sota e ka justifikuar shumën e 863 mijë eurove si pagesë që duhet të bënte për blerje hekuri pranë kompanise “Kurum”. Ndërsa për dy patentat në emër të Saimir Tahirit, ai tha se ato mund të jenë lënë aty nga shoferi i Tahirit me të cilin ka miqësi. Ndërsa ka deklaruar se nuk ka patur kontakt me Saimir Tahirin dhe se e njeh thjesht si ish-ministër dhe deputet, Prokuroria e Elbasanit nisi verifikimet mbi aktivitetin e Sotës dhe nëse mund të justifikojë shumën që i është gjetur.

Burime pranë Prokurorisë së Elbasanit janë shprehur për Top Channel se policia ka bërë vetë numërimin e parave, duke shtuar gjurmët e gishtave që mund të identifikoheshin në kartëmonedhat e sekuestruara. Hetimi për paratë e gjetura pritet t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda sepse Prokuroria e Elbasanit nuk ka kompetencën për të zhvilluar hetimin pasuror ndaj të riut dhe për të verifikuar mënyrën se si ka gjeneruar 863 mijë euro kesh të pashoqëruar me asnjë faturë apo mandat.