Zyra e Kryeministrit padit deputeten Vokshi për shpifje

alt

Deputetja demokrate Albana Vokshi do të paditet nga Zyra e Kryeministrit Edi Rama. Kjo zyrë njoftoi hartimin e kallëzimit ndaj deputetes së opozitës për veprën e shpifjes.

Sipas njoftimit, Vokshi do të paditet nga kryeministri për deklarimet e saj për nismat e qeverisë në sektorin e shëndetësisë. Sipas njofitimit të Zyrës së Kryeministrisë, deputetja demokrate ka shpifur dhe hedhur baltë mbi kreun e qeverisë në mënyrë të përsëritur.

Advertisement

“Zyra e Kryeministrit ka të gjitha arsyet e bazuara në prova dhe fakte për të besuar se fatkeqësisht deputetja Albana Vokshi i përket kategorisë së shpifësve profesionistë të nivelit të lartë të Partisë Demokratike, njësoj si famëkeqët Paloka e Ristani”, deklaron Zyra e Kryeministrisë.

Duke sjellë shembullin e Palokës dhe Ristanit, njoftimi thotë se ata u provuan nga gjykata se shpifin për llogari të partisë së tyre: “Ka ardhur koha që Gjykata e Lartë të kalojë në sitën e gjykimit të saj të pavarur dhe të paanshëm edhe deklarimet e deputetes Vokshi. Njësoj si në rastet e Palokës dhe Ristanit, kryeministri Edi Rama shpreh publikisht gadishmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen, por edhe nga aktiviteti i tij politik, nëse deputetja Vokshi i provon gjykatës se shpifjet ndaj kryeministrit nuk janë të tilla”.