Zvicër – Përfundojnë bisedimet për programin bërthamor të Teheranit

Televizioni shtetëror i Iranit raportoi se të dy palët do të takohen përsëri në Stamboll, në fund të Janarit. Në bisedimet e Gjenevës morën pjesë Irani dhe pesë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Britania, Kina, Franca, Rusia, SHBA) dhe Gjermania. KS i OKB-së ka vendosur katër raunde të sanksioneve kundër Iranit, për shkak të refuzimit të tij për ndaljen e aktiviteteve për pasurimin e uraniumit, i cili mund të përdoret për reaktorët bërthamorë dhe për armatim atomik. Irani i hedh poshtë sugjerimet se po synon zhvillimin e armatimit atomik dhe insiston se ka të “drejtë” për cikël atomik të karburantit. Presidenti Mahmud Ahmadinexhad, tha sot se bisedimet me fuqitë botërore do të jenë “frytdhënëse”, nëse sanksionet e imponuara kundër Iranit, për programin atomik, do të tërhiqeshin.

Advertisement