Zvërnec- MEI: Kontrata parashikon rehabilitimin e zonës

Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaroi të hënën marrëveshjen hidrokarbure me kompaninë San Leon Energy PLC, nëpërmjet zyrës së saj përfaqësuese San Leon Durrësi BV.

Sipas MEI-t, kompania San Leon Energy PLC, nëpërmjet zyrës së saj përfaqësuese San Leon Durrësi BV, ushtron veprimtarinë e saj në fushën e kërkim-zbulimit të hidrokarbureve në bllokun Durrësi në det, në bazë të marrëveshjes hidrokarbure të nënshkruar me ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet, e cila është amenduar së fundmi edhe në vitin 2013.

Advertisement

Amendimi i dytë i marrëveshjes hidrokarbure për bllokun Durrësi (në det) është miratuar me vendimin nr. 588, datë 30.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjes hidrokarbure, shtesa e dytë e marrëveshjes me ndarje prodhimi, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe San Leon Durrësi B.V., për bllokun “Durrësi” (në det), Shqipëri”.

Në bazë të marrëveshjes hidrokarbure të amenduar, thotë MEI, kontraktori është i detyruar që minimalisht të realizojë shpimin e dy puseve kërkimi gjatë fazës së dytë të kërkimit, ku dhe kjo marrëveshje hidrokarbure ndodhet. Në bazë të ligjit 7746, datë 28.07.1993 “Për Hidrokarburet (kërkim prodhimi)”, të ndryshuar si dhe Marrëveshjes Hidrokarbure për kërkimin dhe prodhimin në bllokun e Durrësit, kontraktorit duhet t’i jepen të gjitha lejet e nevojshme për realizimin e operacioneve hidrokarbure të parashikuara. Nga ana tjetër, gjatë realizimit të operacioneve hidrokarbure, kontraktori është i detyruar të zbatojë ligjislacionin shqiptar, përfshirë edhe atë që operon në fushën e mjedisit.

San Leon Durrësi B.V, sipas MEI-t, ka planifikuar shpimin e dy puseve horizontal “Zvërneci West-1” dhe “Zverneci West-2” në Zvërnec dhe është pajisur me leje ndërtimi të sheshit të këtyre puseve më datë 22.07.2015 me Vendimin nr.1 të Këshillit Kombëtar të Territorit, në përputhje me ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” si dhe aktet e tjera nënligjore që veprojnë në fushën e planifikimit të territorit. Kompania është e pajisur me Aktin e Miratimit të Lejes Mjedisore Tipi A sipas formularit të lëshuar nga QKL-ja me nr. PN-0276-06-2015, datë 15.06.2015, procedurë e kryer në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit.

Përzgjedhja e sheshit është bërë bazuar në parametra teknike dhe mjedisore në fazën e projektimit, duke siguruar zbutjen e impakteve të mundshme mjedisore e sociale. Sheshi i pusit të Zvërnecit ndodhet në një zonë në të cilën janë kryer shpime të mëparshme për shpimin e pusit Dajlani-1 në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, nga kompania INA NAFTAPLIN 2001, ku gjatë shpimit të pusit janë marrë masa të veçanta për të garantuar mosdëmtim të zonës dhe të biodiversitetit në të. Gjithashtu, në këtë zonë, në të shkuarën janë kryer edhe disa shpime të tjera të puseve Zverneci-3, Zverneci-2 nga ana e shoqërisë Albpetrol Sh.A. etj.

Pas përfundimit të periudhës së testimit të puseve që do të shpohen, kontraktori, shpjegon ministria, është i detyruar që sheshin e shpimit ta rehabilitojë dhe i gjithë ambienti do të kthehet në gjendjen e tij të mëparshme, pra do të hiqen tërë strukturat e shpimit dhe strukturat ndërtimore duke e kthyer përsëri në kullotë këtë sipërfaqe.

Në rastin e një suksesi në zbulimin e rezervave komerciale, vlerësimi dhe shfrytëzimi i strukturave të Zvërnecit do të bëhen nëpërmjet operacioneve hidrokarbure në det dhe jo nga toka, bazuar në praktikën më të mirë botërore që përdoret gjatë shfrytëzimit të vendburimeve të naftës apo të gazit të ndodhura në zonën detare.

Në bazë të marrëveshjes hidrokarbure, shpenzimet faktike që do të realizohen për shpimin e dy puseve janë kosto hidrokarbure të cilat në rastin e zbulimit dhe prodhimit të hidrokarbureve kompensohen në masën 100% nga të ardhurat e siguruara nga shitja e prodhimit në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Në këto rrethana, sa më të vogla të jenë këto kosto, aq më të mëdha do të jenë të ardhurat e shtetit shqiptar nga shitja e naftës së prodhuar në vendburimin përkatës. Në rastin konkret, nga përllogaritjet dhe preventivat përkatëse rezulton se shpimi në tokë i këtyre dy puseve nga San Leon Durrësi B.V pritet të kushtojë 15 milionë dollarë. Nëse do të shpoheshin këto dy puse me bazë në det, kostoja e rekuperueshme do të arrinte në rreth 85 milionë dollarë.

Gjithashtu rrezikshmëria e procesit të shpimit të një pusi kërkimor është më e ulët kur ky pus shpohet në tokë sesa kur ky pus shpohet në det, pasi dhe menaxhimi i avarive është më i lehtë në tokë.