Rreth 1 orë pas takimit mes dy krerëve të partive qeverisëse, PS-LSI, Rama konfirmoi se kanë përcaktuar Bashkitë që Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë të drejtë që të propozojë kandidaturat.
Në total janë 15 Bashki në të cilat LSI-ja do të propozojë kandidaturat e saj, mes të cilave bie në sy edhe Bashkia e Gjirokastrës, e cila ka qenë historikisht bastion i PS.
Lista e Bashkive ku kandidon LSI:
1-Bashkia e Beratit,
2-Bashkia e Lezhës,
3-Bashkia e Kukësit,
4-Bashkia e Gjirokastrës,
5-Bashkia e Pogradecit,
6-Bashkia e Skraparit,
7-Bashkia e Vorës,
8-Bashkia e Bulqizës,
9-Bashkia e Kuçovës,
10-Bashkia e Cërrikut,
11-Bashkia e Mallakastrës.
12-Bashkia e Delvinës,
13-Bashkia e Prrenjasit,
14-Bashkia e Selenicës,
15-Bashkia e Kolonjës.
Rama sqaroi se në parim në zgjedhjet e 21 qershorit do paraqiten me kandidatë të përbashkët, duke theksuar se çdo njëra nga partitë do të ketë të drejtën e propozimit për një numër njësish dhe të drejtën për të dhënë votën për dakordësinë ose jo të kandidatëve.
“Ishte një takim për të finalizuar fazën e parë të procesit.Kemi konkluduar në parim që në zgjedhjet e 21 qershorit do paraqitemi me kandidatë të përbashkët. Do të ecim me një formulë të re, çdo njëra nga partitë do të ketë të drejtën e propozimit për një numër njësish dhe të drejtën për të dhënë votën për dakordësinë ose jo të kandidatëve.Më pas do të vijojmë me shoshitjen e kandidaturave. Do të bëhen propozimet dhe do shikohen. Kemi përcaktuar njësitë që do të presim propozimet nga LSI-ja. Përkatësisht janë: Berati, Lezha, Kukësi, Gjirokastra, Pogradeci, Skrapari, Vora, Bulqiza, Kuçova, Cërriku, Mallakastra, Delvina, Prrenjasi, Selenica, Kolonja. Për këto Bashki presim propozimet nga LSI.”- tha Rama.
Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu kënaqësi për bashkëpunimin konstruktiv deri tani, një bashkëpunim që sipas tij, “do të vijojë edhe më konstruktiv deri më 21 qershor”.
“Dua të shpreh kënaqësinë për bashkëpunimin mjaft konstruktiv deri tani e që do vazhdoj të jetë deri në fund. Shqetësimi tonë i përbashkët është që kjo reformë madhore, historike, gjatë kësaj periudhe qeverisëse siç është reforma territortiale të kurorëzohet me suskes përmes zgjedhjes së administratorëve. Në këtë drejtim prioriteti ynë ka qënë dhe mbetet përzgjedhja e kandidatëve më të mirë, me një konsensus sa më të gjërë me komunitetet. Ka qënë dhe mbetet një reformë madhore, e domosdoshme, përmes përzgjedhjes dhe zgjedhjes së kryetarëve në 21 qershor që do jap impaktet e saj sa më pozitive në shërbimet e qytetarëve. Sikurse u theksua nga kryeministri Rama kandidatët janë dhe do të jenë të përbashkët, do të përzgjidhen me konsensus, çdo forcë do sjellë emra që janë më përfaqësues. Do jemi sa më të vëmendshëm për raportin e barazisë gjonore. Do sjellim sa më shuma gra si kandidate apo dhe në këshillat bashkiake”, deklaroi kreu i LSI-së Ilir Meta.
Ndërsa lidhur me numrin e bashkive që i janë dhënë LSI-së për të propozuar kandidatët e saj, Meta u shpreh se, “jemi gjithnjë të prirur nga konsensusi dhe jo nga numrat”.