Në një takim me drejtues të institucioneve dhe strukturave të angazhuara në zgjedhje, Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dhënë mesazhe për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Në mesazhin e tij, kreu i shtetit bëri thirrje për një proces të drejtë zgjedhor dhe të bazuar në ligj e Kushtetutë.
“Proceset demokratike në Shqipëri janë ndërtuar, zhvilluar dhe forcuar me kontributin e çdo bashkëqytetari të angazhuar brenda e jashtë vendit. Institucionet që ju përfaqësoni, kanë përgjegjësinë e madhe të prezantimit, menaxhimit dhe performancës, të të gjithë procesit zgjedhor sipas standardeve demokratike. Miradministrimi i këtyre zgjedhjeve nga ana juaj, sipas përgjegjësive që ju ngarkon ligji, duhet të përmbushi këto standarde të pacënueshme, në mënyrë që këto zgjedhje të mos cilësohen thjesht si më të mira se sa ato të viteve të mëparshme”.
Presidenti foli edhe për precedentët negativë të zgjedhjeve në historinë e Shqipërisë. Por tashmë, sipas Presidentit, instrumentet mbrojtëse janë më të plota dhe shit-blerja e votës dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore nuk duhet të tolerohet.
“Eksperiencat e mëparshme na kanë përballur jo rrallëherë me fenomene negative dhe me forma të paligjshme si pjesë e fushatës zgjedhore, për të cilat institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses ndaj tyre. Sot, kuadri zgjedhor është më i plotë dhe instrumentet mbrojtëse janë më të avancuara. Fenomenet e shit-blerjes së votës, keqpërdorimit të burimeve financiare, financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike, prishja apo manipulimi i procesit zgjedhor janë të patolerueshme”.
Presidenti Begaj foli edhe për financimet jo transparente të partive politike, duke kërkuar që kandidatët t’i përmbahen etikës gjatë fushatës elektorale.
“Etika e garës dhe e komunikimit duhet të rrezatojë qytetari, mirësjellje dhe respekt, jo negativitet armiqësi apo agresivitet; argumente dhe jo sharje; mundësi zgjedhjeje dhe jo kërcënime; respekt të ndërsjellë dhe jo armiqësi ndaj njëri-tjetrit. Kjo është fryma me të cilën duhet të zhvillohet një debat i natyrshëm publik përpara një procesi zgjedhor. Media është gjithashtu një nga aktorët e rëndësishëm për të garantuar një proces zgjedhor sa më të lirë e të ndershëm. Të mbështeten gazetarët në misionin e tyre të përcjelljes të zërit të qytetarëve, si dhe të pasqyrimit në mënyrë të paanshme të të gjithë procesit dhe platformave të kandidatëve”.
Ndërsa qytetarëve u bëri thirrje për të ushtruar të drejtën e tyre të votës dhe të mos intimidohen.