Zgjedhjet vendore, lehtësira për zgjedhësit me Aftësi të Kufizuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i kushton vëmëndje të veçantë zgjedhësve me Aftësi të Kufizuara kryesisht duke evidentuar problematikat me të cilat janë përballur gjatë proceseve të votimit në vitet e kaluara.

Zëdhënësja e këtij institucioni, Drilona Hoxhaj, ka bërë me dije se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zbatojë një strategji efektive informimi, sensibilizimi dhe edukimi qytetar për këtë kategori zgjedhësish, e cila do t’i përgjigjet çdo nevoje të tyre për informacion mbi procesin e votimit.
Në këtë kuadër, KQZ u ka kërkuar Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore caktimin e vendodhjes së Qendrave e Votimit, që kanë të regjistruar zgjedhës me aftësi të kufizuara, në katet e para të objekteve publike.
Për herë të parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendor të datës 21 qershor 2015, do të angazhojë pranë Zyrave Rajonale Zgjedhore, 12 Persona me Aftësi të Kufizuara, në 12 qarqet e vendit.
“Personat e angazhuar në Zyrat Rajonale Zgjedhore do të kenë detyrë të ndjekin në dinamikë problematikat e zgjedhësve PAK dhe evidentimin e tyre në kohë, me qëllim marrjen e mënjëhershme të masave për zgjidhjen e saj, në Qendrat e Votimit dhe Zonat e Adminsitrimit Zgjedhor të qarkut përkatës”, ka sqaruar Hoxhaj duke shtuar se ata do të angazhohen dy muaj para ditës së zgjedhjeve, deri në ditën e zgjedhjeve.

Advertisement