Zbulohen ‘manovrat’ e Ilir Thanës për marrjen e 1.2 mln eurove!

7 vite pasi i arrestuari Thana kishte përfituar dëmshpërblim në vlerën e 3 milionë lekëve të vjetra nga Ministria e Financave për një magazinë të privatizuar në vitin 1992, ai iu drejtua sërish Ministrisë së Financave, pasi kishte mbetur i pakënaqur me vlerën e kompensimit të vitit 2015.

Në vitin 2022 ai bëri një rivlerësim të magazinës prej 187 m2 dhe i kërkoi Ministrisë së Financave t’i japte paratë, me argumentin se nuk ishte kompensuar më herët edhe pse ai i kishte marrë paratë e investimit të bërë në magazinë, pasi prona i ishte kthyer pronarit.

Advertisement

Për të ekzekutuar kompensimin, në skemë përfshihet përmbaruesi gjyqësor privat Alban Ruli, i arrestuar tashmë për shpërdorim detyre.

Referuar dosjes hetimore që Tv Klan disponon, përmbaruesi ka bërë procedurat në funksion të ekzekutimit të fondit, duke ia kaluar të motrës së Thanës me kërkesë të këtij të fundit.

Ministria e Financave, në bazë të shkresave të dërguara nga këta shtetas, ka nisur të bëjë kompensimin dhe fondi i parë i çelur ishte në vlerën e mbi 48 milionë lekëve, ndërsa pjesa tjetër do lëvrohej më vonë.

Para që edhe pse kanë kaluar në llogari të të motrës së Ilir Thanës, janë tërhequr prej tij në shuma të vogla, çdo ditë që prej Shtatorit 2022.

Një MEMO e hartuar e Drejtorisë së Thesarit e vuri në dijeni Ministrinë e Financave për këtë fakt. Por zyrtarët vijuan procedurat për dhënien e 1.2 milionë eurove.

Por, shkak për nisjen e hetimeve është bërë një bankë e nivelit të dytë. Ajo ka kallëzuar Ilir Thanën pasi rezultonte debitor me një kredi prej 20 milionë lekësh dhe se paratë e kompensimit nga Ministria e Financave, ndonëse ishin në emrin e tij, kalonin në llogarinë e të motrës, me qëllim që të shmangej detyrimi i bankës.

Tre të arrestuarit do të dalin të premten për masë sigurie. Ata i kanë mohuar akuzat, ndërsa pala mbrojtëse pretendon se bëhet fjalë vetëm për një çështje administrative dhe jo penale.