Zbulohen detaje për ‘Festivalin e Këngës’!

Teksa i afrohemi netëve finale të “Festivalit të Këngës”, disa detaje janë zbuluar nga organizatorët e festivalit.

“Festivali kombëtar është më i madh se Eurosongu, vlerat e këtij festivali janë shumë më lart se një festival po ashtu shumë i mirë si ai europian. Por ne duhet të ruajmë vlerat që lartëson ky festival dhe t’i kthejmë shkëlqimin që ka pasur ndër vite, pasi po s’e bëmë ne nuk mund t’i ruajë askush tjetër. Është i vetmi festival që ka një orkestër të jashtëzakonshme dhe çdo tingull është live. Ndërkohë që në Eurosong muzika është playback,” tha Arbana Osmani.

Advertisement

Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, çmimi i parë i “Festivalit të Këngës” do të përcaktohet nga juria profesioniste, ndërsa kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2023 do të zgjidhet nga votat e publikut.

“Kjo formulë është menduar shumë gjatë. Lidhja e çmimit me përfaqësimin e Shqipërisë është bërë për të lehtësuar vlerësimin profesional të jurisë. Në festival vlerësimi është për vlerat e këngës dhe këngëtarit, ndërsa për përfaqësimin në Eurovision duhet diçka më specifike pasi i tillë është festivali europian,” u shpreh Bojken Lako.

Këtë vit, këngët pjesëmarrëse do të prezantohen për herë të parë për publikun në natën e parë dhe të dytë të festivalit. Gjithashtu edhe emrat e jurisë profesioniste do të prezantohet natën e parë.

Një tjetër çmim që do të jepet është “Artisti i ri më i mirë” i cili do të zgjidhet nga një juri e medias në bashkëpunim me jurinë profesioniste.

“Festivali i Këngës” do të transmetohet në datat 19, 20, 21, 22 dhjetor.