Zaganjori: Dosja e 21 Janarit shumë shpejt në rekurs

Gjykata e Lartë do të marrë shumë shpejt në shqyrtim çështjen e “21 Janarit”, tha Xhezair Zaganjori, Kreu i Gjykatës së Lartë, gjatë zhvillimit të analizës vjetore të këtij institucioni.

Zaganjori, duke rreshtuar arritjet e institucionit që drejton, sqaroi dhe disa prej çështjeve më sensitive, si “21 Janari”, “atentatet me tritol” etj.
Sa i takon çështjes së “21 Janarit”, ku katër persona humbën jetën gjatë protestave të opozitës së atëhershme, Zaganjori tha se, dosja shumë shpejtë do të merret në gjykim në shkallën më të lartë të gjyqësorit. “Dosja shumë shpejt do të shqyrtohet në rekurs. Ajo është çështje që i takon vitit 2013 dhe do të shqyrtohet sipas radhës, ndoshta nga mesi i vitit 2015”, theksoi Kreu i Gjykatës së Lartë.
Duke folur për atentatet e fundit me tritol në Tiranë, Zaganjori u shpreh se mungesa e sigurisë është një faktor që ul besimin e qytetarëve tek organet ligjzbatuese, si dhe te drejtësia. “Një nga detyrat e shtetit është siguria dhe ne jemi qytetarë, jo vetëm gjyqtarët apo prokurorët. Si media dhe ne jemi nën presionin e punës, këto fenomene e kanë tronditur shoqërinë, lufta ndaj krimit është esenciale për shtetin. Një shprehje thotë se një shtet që nuk është në gjendje të garantojë minimumin e rendit dhe qetësisë, nuk është më i mirë se diktatura”, tha Zaganjori.
Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh gjithashtu se, situata të tilla nuk duhet të shërbejnë për t’u kthyer në objekt akuzash dhe kundërakuzash, por se politika duhet të bashkëpunojë për të shmangur ngjarje të tilla tronditëse. “Duhet bashkëpunim mes vetë politikës. Krimi nuk ka ngjyrime, kërkon bashkëpunim dhe mes mekanizmave të shtetit”, tha Zaganjori.
Po ashtu, Zaganjori në fjalën e tij ceku dhe temat të tilla si volumi i dosjeve, nevoja për reformë në drejtësi, teksa rivuri theksin tek volumi i punës së Gjykatës së Lartë, për të cilën është menduar dhe kërkesa për rritjen e numrit të gjyqtarëve.
“Duke pasur parasysh ngarkesën e Gjykatës, punën e Gjykatës, me ndryshimet që janë bërë në ligjet për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, është parashikuar rritja e numrit të gjyqtarëve nga 17 në 19. Mjafton, shtoi Zaganjori, të pjestohet 6000 dosje me 17 gjyqtarët dhe dalin rreth 400 çështje për një gjyqtar në vit.”
“Do të na ndihmonte shumë sikur ky detyrim ligjor të plotësohej. Ky nuk është faji im, por është problem i politikës. Mesa duket formula për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk funksionon ashtu siç duhet. Lufta ndaj krimit është një luftë permanente e shtetit dhe kërkon një bashkëpunim sa më të mirë nëpërmjet vetë politikës”, nënvizoi Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Advertisement