Xhensila Mytrezaj, ka publikuar dje këngën e saj të re “Ring the alarm”, një kompozim nga rumuni Alandy dhe tekst të Endrit Mumajesit, një klip që e sjell Xhensilën në një profil tjetër, pak më rebele dhe më ekspresive, ndryshe nga ajo që publiku është mësuar ta shohë.
Në një intervistë për gazetën “Paloma”, Xhensila ka rrëfyer për këtë projekt të fundit të saj, i cili u paraprin shumë të tjerëve që do të vijnë gjatë verës.
Ndërkohë që në disa prej fotove të publikuara nga klipi në profilin e saj në Instagram, Xhensila duket të ketë guxuar mjaftueshëm në look dhe në modelin e flokëve ajo ka thënë se: “Fotot ishin vetëm një paralajmërim. Këtë herë vij ndryshe në këngë, në stil, në skenë. Mendoj se ka ardhur koha të tregoj edhe një pjesë tjetër timen. Uroj që kjo të pëlqehet nga publiku dhe të kem të njëjtën dashamirësi të tij.”
Por, ashtu si Xhensila, edhe shumë kolege të tjera kanë publikuar këngët e tyre, nga të cilat kanë pritshmëri të larta.
Këngëtarja 22-vjeçare tregon se kjo pjesë nuk e tremb aspak, nuk ka frikë nga konkurrenca, as nga koleget e saj.
“I kam ndjekur punët e kolegeve, më kanë pëlqyer shumë dhe e them me bindje se kjo verë do të jetë me shumë hite. Por unë nuk kam frikë, sepse nuk matem dhe nuk dua të matem me koleget. Frikën ia kam vetëm vetes dhe askujt tjetër”, thotë e bindur Xhensila, duke shtuar se çelësi i suksesit që duhet të ketë çdo artist është të jetë modest dhe me këmbë në tokë.