Gjatë vizitës së tij në Washington, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi aktivitete me disa institute ‘think-tank’ prestigjioze si Qendra Woodrow Wilson, Qendra Truman për Çështjet e Sigurisë dhe me Fondacionin Heritage. Kryeparlamentari Meta diskutoi mbi axhendën politike në Shqipëri, me theks të veçantë tek reforma në drejtësi, duke vene ne pah rendesine e saj si dhe nevojen per permiresimin e sistemit tone te drejtesise. “Kjo reformë është e një rëndësie madhore për të rritur standardet e sundimit të ligjit në vend dhe në drejtim të forcimit të ligjit. Për të përmirësuar në mënyrë të ndjeshme luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për të përmirësuar akoma më tepër klimën për investitorët. Ne synojmë hapjen e negociatave për t’u anëtarësuar ne Bashkimin Europian dhe reforma në drejtësi është një kusht i qartë për këtë hap. Jam sigurt se ne vjeshte ne do të kemi një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave”, është shprehur Meta. Kreu i Kuvendit rikonfirmoi rëndësinë e madhe që SHBA kanë në të gjitha keto procese, dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit. “Është shumë e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të mbajmë vëmendjen e duhur te Shqipëria dhe në rajonin tonë. Gjithashtu është thelbësore për të gjithë ne që të punojmë së bashku; Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia apo edhe vendet e tjera të rajonit. Konkurrenca sot behet mes rajoneve dhe ne kemi nevojë të përmirësojmë imazhin e rajonit tonë, duhet ta bëjmë më tërheqës dhe më të besueshëm”, ka thënë ai. Kryetari i Kuvendit, Meta, tha se Shqipëria përfaqëson një ekonomi që ka potenciale të mëdha zhvillimi dhe e vuri theksin te sektorët ku duhet fokusuar dhe që përfaqësojnë mundësi më të mëdha zhvillimi në të ardhmen si turizmi, bujqësia, energjia, burimet natyrore etj.