Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona në kuadër të ngjarjes së rëndë të ndodhur pranë lulishtes “1 Maj” mbrëmjen e të enjtes, ku humbën jetën 2 persona dhe mbeti i plagosur nje i tretë.
Lajmin e bëri të ditur kreu i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, i cili veç të emrave të të arrestuarve, theksoi se arsyeja e atentatit është e lidhur me trafikun e drogës, me të cilin ishte i përfshirë shtetasi që mbeti i plagosur, Elvis Gaçaj.
“Vasiel Çavo dhe Sael Sulaj janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se janë autorët e ngjarjes së ndodhur të enjten në mbrëmje. Këta shtetas kanë pikasur makinën BMW në pronësi të Gaçajt dhe i janë drejtuar zonës ku ishte parkuar makina dhe në momentin që mjeti ka nisur të lëvize, shtetasit në fjalë kanë gjuatjur me breshëri automatiku tip Kallashnikov, të sekustruar një ditë më vonë nga Policia, gjatë kontrolleve të bëra. Policia ka sekuestruar armët dhe një sasi të konsiderueshme municionesh. Po punohet për gjetjen edhe të një pistolete, e cila dyshohet se është përdor nga njëri prej autorëve. I arreshtuar, vijoi kreu i Policisë së Tiranës, është edhe i plagosuri Elvis Gaçaj”.
40-vjeçari Elvis Gaçaj dyshohet se ishte objektivi i atentatit. Ai rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Ai është dënuar me 14 vjet burg në vitin 1992 kur ishte vetëm 18 vjeç, pasi qëlloi me thikë shokun e tij, Në vitin 2008 kur ishte 32 vjeç ai u arrestua për plagosjen e rëndë me dashje të një personi me inicialet S.M. Ndërkohë, po në këtë vit, Elvis Gaçaj i shpëtoi një atentati me eksploziv pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Po ashtu, sipas policisë, Gaçaj ka qenë i përfshirë edhe në grabitje dhe për lidhje me trafikun e drogës.
Precedentët e tij nuk mbarojnë me kaq. Më 7 maj të vitit 2013 Gaçaj është dënuar me 6 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për dhunë në familje ndaj motrës së tij dhe nënës. Gjykata e gjeti fajtor Gaçajn, pas denoncimit që kishte bërë ndaj tij e ëma, motra dhe babai. Gaçaj dyshohet se ka kryer një vrasje edhe jashtë Shqipërisë.
Gjatë atentatit mbetën të vrarë dy persona, Kevin Rugova, 23 vjeç dhe Aurora Oskyan, 29-vjeç. Të dy këta shtetas nuk rezultojnë të përfshirë në konflikt.