Nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi u lanë në burg këtë të hënë, pasi grabitën shtëpinë e Alda Klosit, e cila ka qenë drejtoreshë e koncensioneve në Ministrinë e Ekonomisë drejtuar nga Arben Ahmetaj dhe më pas shefe kabineti e Ministrisë së Rindërtimit.
Policia e Tiranës thotë se shuma në cash bashkë me bizhuteritë e grabitura në banesën në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë, arrin shumën e 120.000 eurove.
Por në asnjë rresht të njoftimit nuk thuhej se kujt i përkiste banesa e grabitur, duke fshehur kështu identitetin e të grabiturës, ish-drejtoreshës së koncensioneve kur Arben Ahmetaj ishte ministër i Ekonomisë.
Do të jenë hetimet e mëtejshme të cilat do të zbulojnë, arsyen se përse Alda Klosi një punonjëse me rrogë shteti, kishte në shtëpi para cash të padepozituara në bankë.
Për momentin mbetet e paqartë nëse kjo shumë e konsiderueshme monetare vjedhur në shtëpinë e Alda Klosit ishte e deklaruar apo jo siç e kërkon ligji për nëpunësit civil.
Burime policore që po hetojnë ngjarjen i thanë Top Channel se kanë nisur verifikimet ndaj Alda Klosit për të dhënë sqarime se kush ishte burimi i shumës së parave të grabitura në shtëpinë e saj.
Policia e Tiranës ditën e arrestimit të Rozeta Dobit, e cila punonte si pastruese në banesën e Alda Klosit dhe të djalit bashkëpunëtor në vjedhje tha se u sekuestroi mbi 8 milionë lekë, të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.
Sakaq policia e Tiranës ka dyshime se Rozeta dhe Havier Dobi, janë të përfshirë në të paktën 4 grabitje të tjera.
Nga rikontrolli i banesës së Rozeta dhe Havier Dobit paraditen e së dielës policia thotë se në tubin e aspirarorit gjeti të fshehura 404.800 euro dhe 8.500 dollarë.
Të dhënat e deritanishme nga hetimi sugjerojnë se Rozeta Dobi krahas shtëpisë të Alda Klosit kujdesej edhe për shtëpitë e disa zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Financave.