Vlorë: Policia zbulon dhe asgjëson 34 parcela me 3622 bimë narkotike

Friday, December 5, 2025

Policia e Vlorës zbuloi dhe asgjësoi 34 parcela me 3622 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, ndërkohë që po punon për identifikimin e kultivuesve.

Parcelat me bimë narkotike u zbuluan gjatë operacioneve antikanabis në fshatrat Treblovë, Lubonjë, Gjorm, Kallarat e Tërbaç, respektivisht 20 km, 30 km, 50 km dhe 45 km në lindje dhe juglindje të qytetit të Vlorës.

Sipas policisë, për të realizuar qëllimin e tyre, kultivuesit kishin zgjedhur toka pa pronarë në zona të fshehura dhe në terren të vështirë, çka e vështirëson punën për identifkimin dhe kapjen e autorëve.

Aksioni i sotëm i policisë së Vlorës është pjesë e operacionit të gjerë antikanabis që ka filluar prej më shumë se 3 muajsh në shkallë vendi dhe që po intensifikohet në vazhdimësi, duke u shtrirë në të gjithë territorin, sipas një grafiku paraprak bazuar në veprimet përgatitore hetimore. Vetëm gjatë 8 ditëve të fundit janë zbuluar dhe asgjësuar më shumë se 150 parcela me më shumë se 30 mijë rrënjë kanabisi, ndërkohë që u shpallën në kërkim dy persona.

Në harkun kohor të më shumë se tre muajsh, policia e Vlorës ka zbuluar dhe asgjësuar të paktën 95 mijë bimë narkotike, ndërkohë që janë kapur apo shpallur në kërkim, më shumë se 20 persona, të dyshuar si kultivues të tyre.

SourceATSH
RELATED ARTICLES
- Advertisment -