Vlorë | Plagosja e 17-vjeçares, shkarkohen drejtori dhe mësuesja

Ministria e Arsimit ka reaguar pas plagosjes së një 17 vjeçareje në shkollën “Hamdi Arapi” në fshatin Gjorm të Vlorës.

MAS bën të ditur se për ngjarjen në fjalë, janë shkarkuar nga puna drejtoresha e shkollës Elsa Arshija, e cila është edhe halla e autorit si dhe mësuesja Dilore Arshija, nëna e autorit, ndërsa është dhënë vërejtje me paralajmërim edhe për mësuesin D.Z. Ministria, teksa nënvizon se 17 vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, si dhe është prangosur autori, shprehet se i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale Vlorë, të ndalet me përgjegjësi tek ky rast i rëndë dhe të marrë të gjitha masat. Më tej, Ministria e Arsimit, bën të ditur se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme po hartohet një plan konkret për sigurinë në shkolla. Po ashtu MAS thekson se çdo mësues dhe drejtues shkolle ka përgjegjësinë institucionale të informimit të strukturave përkatëse për çdo nxënës që reflekton sjellje dhune si dhe të hartimit të një programi të veçantë ndihme në bashkëpunim me prindërit dhe punonjësit social brenda datës 15 tetor 2014. Sipas Ministrisë, ky program dhe realizimi i tij do të jetë pjesë e treguesve të arritjes për çdo mësues e drejtues shkolle si dhe fokus i inspektimit të çdo shkolle në vend.

Advertisement