Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, bëri të ditur përmes Facebook-t mbylljen në Vlorë të takimit të parë informal të qeverisë së re. Kabineti i ri qeverisës, i cili pritet të mandatohet në muajin shtator, është mbledhur nga dita e djeshme në qytetin bregdetar. Në mesazhin e tij në FB Rama shkruan: “detyrat janë tonat, pushteti i popullit”. Kryeministri Rama, njëkohësisht deputet i qarkut të Vlorës, pritet të takohet sot me deputetë socialistë të kësaj zone, me të cilët do të diskutojë rreth nevojave dhe prioriteteve që ka ky qark. Takimi i parë qeveritar filloi të mërkurën rreth orës 15.00 ku u diskutua rreth programit të qeverisë. “Sapo mbaruam! Një ditë e gjatë pune që iku si një minutë përmes diskutimesh plot ide të reja dhe shumë energji pozitive. Shumë i mbresuar pozitivisht nga puna përgatitore, paraqitja e planeve te ministrave dhe diskutimi i ideve ne grup. Nesër vazhdojmë”, deklaroi Rama në “Facebook”.