Vlorë – Nis stërvitja e parë në kuadër të anëtarësimit në NATO

“Albania Lions ‘09”, është stërvitja e parë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Sipas Shefit të shtabit të Brigadës detare me qëndër në Durrës, kapiten i rangut të parë Roland Nasto stërvitja do të vazhdojë deri në 21 prill dhe do të pasohet nga dy stërvitje të tjera të rëndësishme. “Një grup zhytësish holandezë, në bashkëpunim me zhytësit tanë ushtarakë do të punojnë për pastrimin, largimin dhe çaktivizimin e municioneve të mbetura nën ujë, në një nga zonat e rajonit detar të Vlorës. Bashkë me 4 anijet tona ushtarake të Flotiljes detare të Jugut në operacionin stërvitor marrin pjesë edhe mjete lundruese dhe forca ushtarake detare holandeze”- tha Nasto. Komponenti tjetër i “Albania Lions ‘09” do të zhvillohet në ishullin e Sazanit, ku trupat speciale detaro-tokësore shqiptare dhe holandeze do të realizojnë një stërvitje të përbashkët disaditore. Në maj do të zhvillohet Stërvitja e përbashkët SHBA-Shqipëri “JECT ‘09”. Rajoni detar jugor i vendit do të jetë zona ku do të zhvillohet stërvitja e madhe “Adrion-Livex ‘09”, në qershor, ku Shqipëria, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Kroacia, si anëtare të NATO-s, si dhe Mali i Zi, do të jenë vendet pjesmarrëse.

Advertisement